Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Duhani lë gjurmë afatgjata në ADN

Pirja e duhanit mund të lërë gjurmë në ADN-në e njeriut për periudha të gjata kohore, duke i ndryshuar më shumë se 7000 gjene në mënyra që mund të kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve të lidhura me duhanin, thotë një studim i ri, transmeton koha.net.

Duke i rishikuar rezultatet nga mostrat e gjakut të marra nga rreth 16.000 njerëz në 16 studime të mëparshme, studiuesit gjithashtu zbuluan se për ata që e lanë pirjen e duhanit, shumica e gjeneve u "shëruan" brenda pesë viteve pas lënies së duhanit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Edhe pse kjo i thekson efektet afatgjata të pirjes së duhanit, lajmi i mirë është se sa më herët që e ndaloni pirjen e duhanit, aq më mirë për ju", tha autorja e studimit dr. Stephanie London. Ajo është zëvendësshefe e Degës së epidemiologjisë e Institutit Kombëtar Amerikan të Shkencave të Shëndetit të Mjedisit.

Megjithëkëtë, ekipi i Londonit zbuloi se disa ndryshime gjenetike kanë mbetur, edhe 30 vjet pas ndalimit të pirjes së duhanit.

London dhe kolegët e saj u përqendruan në një proces të quajtur metilacion i ADN-së - ndryshime këto gjenetike të cilat nuk e ndryshojnë kodin themelor të gjeneve, por mund ta ndryshojnë mënyrën se si ato shprehen, apo aktivizohen, transmeton koha.net.

E njohur për kontributin në një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë kancerin, sëmundjen e zemrës dhe goditjen në tru, pirja e duhanit mbetet shkaku kryesor i parandalueshëm i vdekjeve në mbarë botën, përgjegjës për pothuajse 6 milionë vdekje çdo vit, sipas studimit.

Edhe disa dekada pas lënies së duhanit, kjo shprehi e jep mundësinë e rrezikut afatgjatë të sëmundjes. Ndryshimet e metilacionit të ADN-së janë propozuar si një arsye e mundshme për këtë.

Ekipi i Londonit i krahasoi vendet e metilacionit të ADN-së në duhanpirësit aktualë dhe të mëparshëm me ata që nuk kanë pirë kurrë duhan. Përveç zbulimit se vendet e ADN-së të ndërlidhura me pirjen e duhanit ishin të lidhura edhe me më shumë se 7000 gjene - rreth një e treta e gjeneve të njohura të njeriut - studiuesit mësuan se disa vende të metilacionit të ADN-së vazhduan edhe tri dekada pas lënies së duhanit.

Identifikimi i këtyre ndryshimeve të ADN-së që ndërlidhen me pirjen mund të çojë në teste diagnostike të cilat mund ta vlerësojnë më saktë historinë e duhanpirjes së pacientit, tha London.

"Ne mund ta përdorim këtë lloj të të dhënave për ta vlerësuar duhanpirjen e mëparshme të njerëzve", tha ajo. "Askush nuk thotë se pi duhan kur nuk pi, por thonë se nuk pinë duhan, kur pinë, kështu që mund t’i përdorim këto sinjale për ta zbuluar këtë".

Ky informacion mund të jetë i dobishëm për identifikimin më të mirë të efekteve shëndetësore të historisë duhanpirëse të personit, tha London. Dhe ai e ofron mundësinë e zhvillimit të trajtimeve të reja të mundshme për t’i riparuar vendet e metilacionit të ADN-së, tha ajo.

"Ky informacion është pothuajse gjithmonë i dobishëm", shpjegoi London. "Sidomos me ndonjë sëmundje që lidhet me duhanpirjen, nëse e keni një biomarker të shkëlqyer të duhanpirjes, ai ju mundëson që t’i identifikoni efektet e ekspozimeve të tjera në një mënyrë më rigoroze".

Studimi u publikua më 20 shtator në revistën Circulation: Cardiovascular Genetics.

Dr. Norman Edelman është këshilltar i lartë shkencor për Shoqatën Amerikane të Mushkërive. Ai tha se studimi i ri "i ngre disa çështje interesante" pavarësisht se nuk është në gjendje ta krijojë një marrëdhënie të qartë shkak-pasojë midis ndryshimeve gjenetike të lidhura me duhanpirjen dhe problemeve rezultuese shëndetësore.

"Disa prej nesh që ballafaqohen me pirjen e duhanit si një problem të shëndetit publik e kuptojnë se çdo gjë që e shikoni duket të jetë e ndikuar nga pirja e duhanit", tha ai. "Shumë kancere, sëmundje të eshtrave, sëmundje të mushkërive, sëmundje të zemrës, probleme gastrointestinale – duhanpirja e ka një gamë shumë të gjerë të efekteve, nuk është veçanërisht e habitshme t’i dëgjosh efektet e saj epigjenetike.

"Mesazhi këtu është se pirja e duhanit e ka një ndikim të madh dhe të përhapur në gjenet tuaja", shtoi Edelman. "Pjesa më e madhe është e kthyeshme, por disa jo. Pra, nëse pini duhan, do ta ndryshoni përbërjen tuaj gjenetike në një mënyrë që nuk është tërësisht e kthyeshme".