Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Disenjatoret egjiptiane që po shndërrojnë mbeturinat plastike në veshje e mobilie

Brendi “Reform Studio” në Kajro, riciklon qeset plastike të përdorura dhe i shndërron në veshje, çanta e tekstik

Brendi “Reform Studio” në Kajro, riciklon qeset plastike të përdorura dhe i shndërron në veshje, çanta e tekstik

Teksa Egjipti përballet me një problem të madh të ndotjes nga plastika, dy disenjatore kanë gjetur një mënyrë kreative për t'i kthyer mbeturinat në produkte me vlerë.

CNN ka shkruar se Mariam Hazem dhe Hend Riad, themeluese të brendit “Reform Studio” në Kajro, riciklojnë qeset plastike të përdorura dhe i shndërrojnë në çanta, mobilie dhe veshje, duke ringjallur njëkohësisht artin e lashtë egjiptian të endjes vek dore apo tezgjah.

“Ne nuk e shohim mbeturinën si fundin e jetës së një materiali. E shohim si një mundësi, si një material të ri”, ka thënë Riad.

Mariam Hazem dhe Hend Riad

Dy disenjatoret krijuan një material inovativ të quajtur Plastex, i cili prodhohet duke prerë qeset plastike në fije të holla që më pas enden në vek me pambuk ose fibra të tjera natyrale. Meqenëse fijet plastike nuk ngjyrosen, çdo produkt është unik.

Sipas tyre, testet kanë treguar se materiali është shumë i fortë, mund të shtrihet deri në dyfishin e madhësisë së tij dhe një çantë e prodhuar me Plastex mund të mbajë mbi 50 kilogramë peshë.

Edhe Çantat prej lëkure të familjes Kasemi, pjesë e tregut në Tokio SOT 9 muaj më parë Çantat prej lëkure të familjes Kasemi, pjesë e tregut në Tokio

Tradita mijëravjeçare që po rikthehet në jetë

Egjipti ka një histori mijëravjeçare në prodhimin e tekstileve. Veshja më e vjetër e endur në botë, e njohur si Fustani Tarkhan, u zbulua pranë Kajros dhe daton mbi 5,000 vjet më parë.

Sot kjo traditë është në rrezik zhdukjeje për shkak të prodhimit industrial dhe tekstileve të lira të importuara.

Për Hazem, ruajtja e këtij zanati është po aq e rëndësishme sa edhe mbrojtja e mjedisit.

“Është pjesë e trashëgimisë sonë. Çdo produkt që krijojnë artizanët tanë është unik. Ka shpirt dhe kjo ndihet”, ka thënë ajo.

Sfidat e dy grave sipërmarrëse

Edhe Qëndisja tradicionale që mban gjallë identitetin dhe qëndresën e diasporës palestineze Botë 1 j. më parë Qëndisja tradicionale që mban gjallë identitetin dhe qëndresën e diasporës palestineze

Fillimisht nuk ishte e lehtë të bindnin mjeshtrit tradicionalë të ndryshonin mënyrën e punës.

“Na u desh shumë kohë të gjenim artizanë që pranonin të eksperimentonin me materiale të reja. Për më tepër, si gra në një shoqëri ku ky profesion dominohet nga burrat, nuk ishte e lehtë të drejtonim ekipe me burra shumë më të mëdhenj në moshë se ne”, ka treguar Hazem.

Tash, “Reform Studio”, punon me 14 artizan të vekut në Kajro, përfshirë gra nga komunitete në nevojë, të cilat janë trajnuar nga kompania.

“Fuqizimi nuk do të thotë vetëm të krijosh vende pune. Do të thotë të ndërtosh vetëbesim, të ruash dijet tradicionale dhe t’u japësh grave mundësinë të jenë të pavarura financiarisht”, ka shtuar ajo.

Nga Kajro në Paris

Produktet e “Reform Studio” shiten jo vetëm në Egjipt, por edhe në Greqi, Arabinë Saudite dhe Japoni. Kompania ka bashkëpunuar edhe me brendin e njohur të mobileve “IKEA”, ndërsa çantat e saj janë ekspozuar në muzeun “Victoria & Albert” në Londër, në vitin 2022, si dhe kanë debutuar edhe në javën e modës në Paris, në vitin 2024.

Edhe Teknologjia në kohë lufte - “Ka një aplikacion edhe për këtë” Botë 1 muaj më parë Teknologjia në kohë lufte - “Ka një aplikacion edhe për këtë”

Deri më tash, kompania ka ricikluar më shumë se 37 tonë mbetje plastike. Çdo produkt shoqërohet me një etiketë që tregon sa qese plastike janë ripërdorur dhe sa artizanë kanë punuar për ta realizuar.

“Kajro është burimi ynë i frymëzimit. Ne po përdorim një zgjidhje të lashtë për të zgjidhur një problem modern”, ka përfunduar Hazem.