Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Dieta mediterane dhe kafeina, të mira për sytë

Dieta mesdhetare dhe konsumi i kafeinës mund t’i ulin gjasat tuaja për zhvillimin e degjenerimit makular të lidhur me moshën (AMD), një shkak ky kryesor i verbërimit, sipas një studimi të ri.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se një dietë mediterane – me shumë fruta, perime, drithëra integrale, fruta arrore, yndyra të shëndetshme dhe peshk – është e mirë për zemrën dhe e ul rrezikun e kancerit. Por, ka pasur pak hulumtime për atë nëse ajo ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjeve të syrit si AMD, kanë vërejtur studiuesit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me ndihmën e pyetësorëve, hulumtuesit i vlerësuan dietat e 883 personave, të moshës 55 dhe më të vjetër, në Portugali. 449 prej tyre kishin AMD të fazës së hershme dhe 434 nuk kishin sëmundje të syve.

Ndjekja strikte e dietës mediterane është e lidhur me një rrezik 35 për qind më të ulët të AMD, ndërsa ngrënia e shumë frutave ishte veçanërisht e dobishme.

Hulumtuesit gjithashtu zbuluan se personat që konsumuan nivele të larta të kafeinës duket se kishin rrezik më të ulët nga AMD. Në mesin e atyre që konsumuan nivele të larta të kafeinës (rreth 78 miligramë në ditë, ose ekuivalentja e një doze të espressos) 54 për qind nuk kishin AMD dhe 45 për qind e kishin sëmundjen e syve, transmeton Koha.net.

Hulumtuesit thanë se e shikuan konsumin e kafeinës sepse ajo është një antioksidant i njohur për mbrojtjen nga problemet e tjera shëndetësore, si sëmundja Alzheimer.

Megjithatë, studimi nuk dëshmoi se konsumi i kafesë dhe ndjekja e dietës mediterane bënë që rreziku prej AMD të ulej.

Gjetjet do të prezantohen në takimin vjetor të Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë (Aao), në Çikago.

"Ky hulumtim i përforcon dëshmitë se një dietë e shëndetshme dhe e pasur me fruta është e rëndësishme për shëndetin, duke përfshirë edhe ndihmën për të mbrojtur kundër degjenerimit makular," tha autori kryesor dr. Rufino Silva, profesor i oftalmologjisë në Universitetin e Coimbra, në Portugali, në një deklaratë për shtyp të Aao.

"Ne gjithashtu mendojmë se kjo punë është një hap në drejtim të mjekësisë efektive parandaluese në AMD", shtoi Silva.

Hulumtimi i prezantuar është konsideruar si preliminar derisa të publikohet në ndonjë revistë shkencore.