Dieta mesdhetare ka treguar rezultate të mira për shëndetin, e po vazhdon të jetë e para edhe për zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet e harresës si Alzheimeri, raporton “The New York Post”.
Dieta mesdhetare është një mënyrë e të ngrënit që përmban shumë lëndë të mira ushqyese, pasi kjo dietë përbëhet nga pemët, perimet, ushqimi i detit, vaji i ullirit dhe drithërat e plota.
Studimi i ri që u publikua në “Jama Neurology”, ka gjetur se mënyra mesdhetare e të ushqyerit mund të ndihmojë të mbajë në formë mendjen e njeriut edhe në moshë të shtyrë, e edhe atëherë kur truri tregon shenja të mundësisë së zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit.
Studiuesit analizuan të dhënat e 586 individëve që vdiqën në moshën 91 vjeçe, duke analizuar rezultatet e autopsisë së tyre. Mënyra e jetesës dhe rezultatet e autopsisë u studiuan që nga vitit 1997 e deri më 2022. Ata gjetën se shumica prej tyre që u ushqyen me dietën mesdhetare nuk ishin të prekur ose nuk ishin aspak të prekur nga sëmundjet e harresës.
Individët që u ushqyen në mënyrën mesdhetare rezultoi se patën aftësi shumë të mira njohëse edhe në moshën e shtyrë, para se të vdisnin, kanë treguar studiuesit nga Universiteti “Rush” në Chicago.
Edhe tek ata persona që u gjetën shenja të vogla të Alzheimerit, studimi tregoi se dieta mesdhetare e ka mbrojtur trurin e tyre që të mos ketë probleme të mëdha me harresë.
Mendohet se kjo dietë mund të ndihmojë kundër sëmundjeve të harresës për shkak se të ushqyerit mirë të jep ndjenjën e ngopjes, duke mos lënë mundësi që njeriu të ketë dëshirë të konsumojë ushqim të keq apo të shpejtë.
Në tetor të vitit 2023 një studim pati treguar se dieta mesdhetare mund të ndihmojë edhe kundër stresit post-traumatik.
Studime të tjera rreth kësaj diete kanë treguar se mund të mbrojë edhe kundër vdekjes së parakohshme duke zvogëluar rrezikun për zhvillimin ë sëmundjeve të zemrës.