Një ditë pas operacionit për gurë në veshka, një urolog përjetoi vetë një situatë të frikshme, nuk mund të urinonte, ani pse ndiente se fshikëza ishte plot.
“U ndjeva i bllokuar, në panik dhe i pafuqishëm. Pas pesë minutash, që m'u dukën si pesë orë, më në fund urinimi filloi”, ka treguar ai, ka raportuar CNN.
Shkaku nuk ishte vetë fshikëza, por kapsllëku i shkaktuar nga barnat pas operacionit. Pasi u zgjidh ky problem, fshikëza u relaksua dhe gjithçka funksionoi normalisht.
Mjeku ka treguar se në shumë raste, vështirësia për të urinuar është e përkohshme, por për shumë njerëz të tjerë, ky është problem serioz që ndikon në cilësinë e jetës.
Pse ndodh që nuk mund të urinoni
Problemi mund të jetë “mbajtje urinare”, kur fshikëza është plot por nuk zbrazet, ose ndjenja e rreme se duhet të shkosh në tualet, edhe pse fshikëza është bosh. Për urinimin normal, muskujt e fshikëzës duhet të tkurren, ndërsa dalja (qafa e fshikëzës dhe uretra) duhet të relaksohen. Nëse ka pengesa, muskujt janë të dobët apo sinjalet nervore nuk funksionojnë, urina nuk del.
Ky problem shfaqet më shpesh tek burrat mbi 50 vjeç, kryesisht nga prostata e zmadhuar.
Sipas studimeve, pas moshës 70 vjeçe, rreth 1 në 10 burra zhvillojnë mbajtje akute urinare, ndërsa pas të 80-ave, pothuaj 1 në 3. Te gratë është shumë më e rrallë, vetëm 3 raste në 100.000 çdo vit.
Shkaqe të tjera janë kapsllëku (i cili ndryshon këndin e qafës së fshikëzës), barnat, disa antidepresantë dhe qetësues dhimbjesh. Gurët në urinë, ngushtimet e uretrës, infeksionet apo gjakderdhjet mund të bllokojnë daljen. Te personat me sëmundje neurologjike si skleroza multiple, diabeti, dëmtimet në palcën kurrizore apo sulmet në tru, nervat që kontrollojnë fshikëzën mund të dëmtohen.
Kur duhet të shqetësoheni
Rrjedha e dobët ose urinimi me ndërprerje shpesh është problem i bezdisshëm, por jo urgjent. Por nëse nuk mund të urinoni fare, fshikëza ju duket shumë e mbushur, barku është i fryrë dhe nuk keni rezultat edhe pasi keni kryer nevojën e madhe, kjo është emergjencë.
“Shkoni menjëherë në urgjencë. Mund t’ju duhet të vendoset kateter për të zbrazur fshikëzën dhe për të mbrojtur veshkat”, ka shpjeguar urologu.
Ai ka shtuar se disa pacientë nuk kanë simptoma fare, por ekzaminimet tregojnë qindra mililitra urinë të mbetur brenda fshikëzës. Kjo “mbajtje e heshtur” është po aq e rrezikshme, pasi rrit rrezikun për infeksione dhe dëmtime afatgjata.
Si e zbulojnë urologët shkakun
Hapi i parë është të përcaktohet nëse fshikëza është plot e nuk zbrazet, apo nëse ndjenja për të urinuar është e rreme. Kjo bëhet me analiza gjaku e urine, matjen e urinës së mbetur pas urinimit, ekzaminim me aparate që matin rrjedhën, ose në raste të caktuara, me kamerë (cistoskopi) për të parë nëse ka bllokim.
“Kohët e fundit pashë një të ri që kishte probleme serioze me urinimin. Me kamerë u pa se kishte një ngushtim të uretrës që pengonte rrjedhjen”, ka thënë mjeku.
Në rastet akute, trajtimi i menjëhershëm është vendosja e kateterit. Por shumica e pacientëve kanë simptoma më të lehta që përmirësohen nëse zbulohen herët.
Çfarë mund të bëni vetë
Kini kujdes ndaj shenjave si: rrjedhë më e dobët, sforcim, ose shkuarje të shpeshta natën në tualet. Mos i neglizhoni si “të qenit thjesht i moshuar”. Rishikoni barnat që merrni, pini mjaftueshëm ujë dhe mos lini pas dore kapsllëkun.
“Mos kini turp të flisni për këtë problem me mjekun. Është mënyra e trupit për të kërkuar ndihmë. Në rastin tim, shkaku ishte i thjeshtë dhe u zgjidh shpejt. Por te shumë të tjerë, mund të jetë më kompleks, nga një bllokim, një problem nervor apo edhe efekt anësor i barnave. Zbulimi i hershëm bën të gjithë diferencën”, ka përfunduar urologu.