Lifestyle

Burrat vdesin më shpesh nga “sindroma e zemrës së thyer”, thotë studimi

Zemra e thyer

Sëmundja zakonisht shkaktohet nga një ngjarje stresuese si vdekja e një të dashuri

Pas një traume të madhe, si ndarja, vdekja e një të afërmi apo një operacion, disa njerëz përjetojnë dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto mund të jenë simptoma të një gjendjeje që mjekët e quajnë “takotsubo kardiomiopati”, por që njihet më gjerësisht si “sindroma e zemrës së thyer”, ka raportuar NBC News.

Kjo sindromë shkaktohet nga stresi fizik ose emocional, i cili nxit lëshimin e hormoneve si adrenalina, që e pengojnë zemrën të tkurret siç duhet. Shumica e pacientëve shërohen shpejt, por një pjesë e vogël përjeton dështim të zemrës.

Megjithëse ndodh më shpesh te gratë, burrat vdesin nga kjo sindromë mbi dy herë më shpesh, sipas një studimi të botuar ditë më parë në Journal of the American Heart Association. Në analizën e të dhënave të gati 200,000 të rriturve në SHBA të shtruar në spital mes viteve 2016 dhe 2020, rreth 11% e burrave vdiqën, krahasuar me 5% të grave.

“Duket se është një gjetje e qëndrueshme që burrat e marrin më rrallë sindromën takotsubo, por kur e marrin, kalojnë më keq”, ka thënë doktoresha Harmony Reynolds, drejtoreshë e Qendrës për Kërkime Kardiovaskulare të Grave në NYU Langone Health.

Sipas kardiologëve, një ndër arsyet mund të jetë lloji i stresit që e shkakton gjendjen. Te burrat, shpesh është stres fizik, si operacioni apo sulmi në tru, ndërsa te gratë është zakonisht emocional, si humbja e punës apo e një të dashurie.

“Personat me stres emocional zakonisht kalojnë më mire. Burrat janë më pak të ndjeshëm ndaj kësaj gjendjeje”, ka thënë doktori Ilan Wittstein, kardiolog në Johns Hopkins Medicine. 

Autori kryesor i studimit, doktori Mohammad Movahed, ka shtuar se burrat mund ta kenë më të vështirë të shërohen nga sindroma e zemrës së thyer për shkak se kanë më pak mbështetje sociale për ta përballuar stresin.

“Nëse shkaktari i stresit nuk largohet, ai vazhdon të dëmtojë zemrën ose të paktën e ul shansin për rikuperim”, ka thënë ai.

A është stresi i vetmi shkaktar?

Për të diagnostikuar sindromën e zemrës së thyer, mjekët kërkojnë disa shenja specifike: një pjesë e muskulit të zemrës zmadhohet, por arteriet nuk janë të bllokuara, si në rastet e infarkteve. Shumica e pacientëve gjithashtu raportojnë një ngjarje stresuese përpara shpërthimit të simptomave.

“Streset që përjetojmë çdo ditë, qofshin fizike apo emocionale, mund të lënë pasoja në trupin tone. Në ato momente, mund ta ndjesh fjalë për fjalë dhimbjen e zemrës”, ka thënë doktori Matthew Tomey, kardiolog në Mount Sinai Fuster Heart Hospital në New York. 

Por, sipas Wittstein, vetëm stresi nuk mjafton gjithmonë. 

“Dikush mund të zemërohet pak në punë, të vrapojë më shumë se zakonisht apo thjesht të bllokohet në semafor dhe të irritohet, dhe kjo mund ta shkaktojë sindromën”, ka thënë ai.

Reynolds ka treguar për një paciente që e ka përjetuar sindromën katër herë, dhe çdo herë pas një gripi të lehtë që i shkaktonte të vjella.

“Ajo i urren të vjellat dhe sapo ndodh, zhvillon takotsubo”, ka thënë ajo.

Wittstein tani beson se disa njerëz kanë një ndjeshmëri të lindur ndaj kësaj sindrome. Hulumtimet e tij sugjerojnë se hormonet e stresit mund të ngushtojnë enët e vogla të gjakut përreth zemrës, duke zvogëluar qarkullimin. Presioni i lartë i gjakut ose kolesteroli i lartë mund të bëjnë që rreziku të rritet.
Gratë pas menopauzës gjithashtu janë më të prira ndaj kësaj syndrome, ndoshta për shkak të rënies së nivelit të estrogjenit, hormon që ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut.

“Është e qartë që hormonet seksuale luajnë rol, por nuk kemi ende prova të mjaftueshme për t’i lidhur plotësisht pikat”, ka thënë Reynolds.

E vështirë për ta parandaluar dhe trajtuar

Pasiguria rreth shkakut e bën sindromën të vështirë për t’u parandaluar apo trajtuar. Mjekët ndonjëherë japin ilaçe si beta bllokuesit, që përdoren për sëmundje të tjera të zemrës, ose rekomandojnë mënyra për uljen e stresit, si meditimi apo terapitë psikologjike.

“Nuk kemi gjetur deri tani asnjë trajtim specifik që redukton ndërlikimet apo vdekshmërinë”, ka theksuar Movahed. 

Sipas tij, fakti që shkalla e vdekjeve ka mbetur e njëjtë nga 2016 deri në 2020 tregon se trajtimet aktuale nuk janë të mjaftueshme.

Por Wittstein vuri në dukje se studimi u bazua në kodet diagnostikuese në spitale, të cilat mund të mos e pasqyrojnë plotësisht shkakun e vdekjes, sidomos nëse pacienti kishte edhe goditje apo probleme neurologjike.

“Jam mjaft i sigurt se disa prej këtyre pacientëve janë shëruar nga sindroma e zemrës së thyer dhe më pas kanë vdekur nga ndërlikime të tjera”, ka deklaruar ai.

Këshilla më e mirë nga mjekët është të mos e injorohet dhimbja në kraharor apo vështirësitë në frymëmarrje.

“Nuk mund të dallosh nëse është infarkt apo sindroma e zemrës së thyer pa bërë analiza në spital. Nuk është aspak e përshtatshme të rrini në shtëpi nëse keni dhimbje në gjoks”, ka theksuar Reynolds.