LAJMET E MBRËMJES

Gucati: Të gjithë të bashkohemi në protestën e 17 tetorit në Tiranë

Iniciuesit e protestës së 17 tetorit në Tiranë, që organizohet për të shprehur mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë, thanë se janë bërë të gjitha përgatitjet për pjesëmarrje sa më masive. Ata treguan se edhe personalitete politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë kryeministrin Rama, dhe se nisja nga Kosova do të bëhet me 60 autobusë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje shqiptarëve që më 17 tetor, nga ora 17:00, t’i përgjigjen thirrjes për protestë në Tiranë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Gjykatën Speciale, nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë është planifikuar të mbahet pas asaj në Prishtinë edhe në Hagë.
Gucati tha se në mesin e protestuesve do të jenë edhe politikanë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Do të jetë ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu – do të marrë fjalën. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, do ta marrë fjalën dhe unë si organizator i protestës në Tiranë”, ka thënë Gucati. “E kemi të konfirmuar se kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në protestë. Jemi duke pritur që sot ose nesër të na njoftojë edhe për fjalim. Nuk besoj se do ta refuzojë fjalimin. E gjitha varet nga agjenda e tij, por mbrëmë na ka thënë se do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit”.

Një ditë më parë, Rama ka shkruar në Facebook për protestën.

“Me kënaqësi dhe i nderuar t’u bindem organizatorëve për ta postuar këtë ftesë-thirrje... Nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, diaspora e çdo cep i trojeve shqiptare – mijëra zemra do të bashkohen këtë të premte, më 17 tetor, ora 17:00, për të kërkuar njëzëri DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT”, ka shkruar ai.

E, Gucati bëri të ditur se shumë qytetarë nga Kosova do të marrin pjesë në protestë dhe se nisja e organizuar do të bëhet të mërkurën dhe se për udhëtimin nuk do të paguhet.

“Vetëm nga Kosova deri më sot i kemi 60 autobusë të konfirmuar nga tri shoqatat tona: e invalidëve, e dëshmorëve dhe veteranëve, që ne jemi duke e organizuar. Falënderojmë kryetarët e komunave që na e kanë mundësuar transportin, sepse ne nuk i kemi pasur mjetet tona”, ka thënë ai.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim që nga viti 2020.