Sheqeri i lartë në gjak ose hiperglicemia, ndodh kur sasi të mëdha të sheqerit mblidhen në gjak për shkak të mungesës së insulinës në trup.
Disa faktorë mund të kontribuojnë në rritjen e sheqerit në gjak, të tilla si zgjedhjet e dobëta të ushqimit dhe pijeve, mungesa e aktivitetit fizik dhe sëmundja. Nëse nuk trajtohet, hiperglicemia mund të çojë në komplikime që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm, si sytë, veshkat dhe zemra, kështu që është e rëndësishme që të përpiqeni ta ulni sheqerin në gjak në nivele të moderuara, raporton portali “Eat This, Not That”.
Megjithëse karbohidratet janë të nevojshme për trupin, duhet pasur kujdes se cilat lloje i konsumoni, veçanërisht personat që tashmë vuajnë nga nivelet e larta të sheqerit. Ka lloje të ndryshme të bukëve që janë më të shëndetshme se të tjerat.
Njerëzit me sheqer të lartë në gjak duhet të përfshijnë në dietë bukë me sasi të lartë të fibrave, të paktën tre gram fibra për çdo copë, pasi ato ndihmojnë me stabilizimin e niveleve të sheqerit. Buka me sheqer të shtuar është jashtëzakonisht problematike pasi mund t’i rrisë dukshëm nivelet e sheqerit në gjak.
Ekzistojnë dy lloje të karbohidrateve: të thjeshta dhe komplekse. Karbohidratet e thjeshta përbëhen nga sheqerna si fruktoza dhe glukoza, të cilat kanë struktura të thjeshta kimike. Karbohidratet komplekse kanë struktura kimike më komplekse, me tre ose më shumë sheqerna të lidhura së bashku. Ata gjithashtu marrin më shumë kohë për t’u tretur, që do të thotë se nuk kanë ndikim të menjëhershëm në rritjen e sheqerit në gjak, duke bërë që këto nivele të rriten gradualisht.
Edhe pse karbohidratet komplekse janë në dukje më të mira për rastin e rritjes së sheqerit në gjak, ekspertët shëndetësorë theksojnë se ndarja e karbohidrateve, në të thjeshta dhe komplekse, nuk merr parasysh efektin e karbohidrateve në sheqerin në gjak dhe sëmundjet kronike. Kjo është arsyeja pse indeksi glicemik është i rëndësishëm kur menaxhoni nivelet e sheqerit në gjak.
Ushqimet me indeks të lartë glicemik si buka e bardhë, treten shpejt dhe shkaktojnë luhatje të konsiderueshme të sheqerit në gjak. Po ashtu, ngrënia e shumë ushqimeve me indeks të lartë glicemik mund të çojë në një rrezik në rritje për diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe mbipeshën.