Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Britania e Madhe këshillon testet për personat që humbin shijen dhe nuhatjen

Personat që ballafaqohen me humbjen e shqisës së shijes dhe nuhatjes këshillohen që të testohen për COVID-19, në kuadër të ndryshimeve më të fundit që ka zbatuar Qeveria në Mbretërinë e Bashkuar, por që për ekspertët është masë shumë e vonuar, duke paralajmëruar se mijëra raste tashmë janë humbur.

Anosmia - termi mjekësor për humbjen e shqisës së nuhatjes dhe asaj të shijimit - është tani simptoma e tretë e infeksionit me koronavirus që do të justifikonte ndërmarrjen e testeve, përveç kollës së vazhdueshme dhe temperaturës së lartë.

Katër zyrtarët kryesorë mjekësorë në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se personat që ballafaqohen me humbjen e këtyre shqisave duhet të izolohen ose të testohen menjëherë, edhe po qe se nuk kanë simptoma të tjera.

Njoftimi u bë teksa ekspertët kanë pretenduar se mijëra raste me COVID-19 kishin kaluar të paregjistruara, si pasojë e përqendrimit të autoriteteve vetëm në simptomat e kollës dhe temperaturë.

Nënvlerësimi i simptomave

Edhe Humbja e nuhatjes, treguesi më i saktë i koronavirusit Lifestyle Humbja e nuhatjes, treguesi më i saktë i koronavirusit

Profesori Tim Spector, nga Kolegji londinez King’s, ka mbledhur të dhëna për njerëzit që kanë shkarkuar aplikacionin e tij të simptomave dhe ka bërë të ditur se 50.000 deri në 70.000 persona në Mbretërinë e Bashkuar ishin këshilluar të izoloheshin shkaku i prekjes nga COVID-19.

Ai fajësoi sistemin e Shëndetit Publik në Angli (PHE) dhe strategjinë më të gjerë të ndjekjes së virusit. Në programin e BBC Radio 4, ai ka thënë se 1.5 milionë njerëz tani janë përfshirë në aplikacionin “King’s app”.

“Kjo na tregon se kemi të paktën 100.000 raste të personave që janë infektuar dhe kjo del nga të dhënat tona, megjithëse Shërbimi Kombëtar i Shëndetit do ta nënvlerësonte këtë gjë ngase nuk i llogarit të gjitha simptomat. Ne listojmë rreth 14 simptoma, të cilat i dimë se ndërlidhen me testet pozitive dhe këto nuk po merren parasysh nga NHS-ja”, ka shtuar Spector.

Ai ka thënë po ashtu se 17 vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin ndryshuar listën e simptomave të tyre, por jo edhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Për momentin, njerëzve u është thënë që të kthehen në punë nëse janë punëtorë të kujdesit, edhe nëse kanë përjetuar humbjen e shqisës së nuhatjes apo shijes, dhimbje të forta të muskujve ose lodhje, këto janë gjëra që ne i dimë dhe kemi treguar që janë të lidhura me faktin se mund të jenë pozitivë”, ka thënë ai. “Ky vend po e humb garën për rastet e nënvlerësuara dhe po i vë njerëzit në rrezik, duke e vazhduar epideminë. Kështu që ne duhet përnjëmend t’i themi Shëndetit Publik në Angli që të pajtohet me pjesën tjetër të botës dhe t'i bëjë njerëzit më të vetëdijshëm”. “Dikush duhet ta bëjë pyetjen se pse ne jemi i vetmi vend në këtë krizë pandemie që nuk po e zgjeron listën e simptomave dhe të merremi me të dhe të bëjmë diçka”.

Grupi i Spectorit ka paralajmëruar qysh nga 1 prilli se personat që u ballafaquan me këto simptoma duhet të izolohen.

Edhe Humbja e nuhatjes dhe e shijes, simptomat kyç të COVID-19 Lifestyle Humbja e nuhatjes dhe e shijes, simptomat kyç të COVID-19

Nënsekretari kryesor i Anglisë, Jonathan Van-Tam, ka thënë se grupi i ri dhe grupi këshillues për kërcënimet e viruseve (Nervtag) ka filluar t’i rishikojë të dhënat që nga 27 marsi.

(Guardian)