Lifestyle

Bimët mjekësore të Malësisë së Madhe, në tregjet e SHBA-së dhe Gjermanisë

Një investim prej 2 milionë dollarësh në Kosanë të Malësisë së Madhe në një distileri të esencave të bimëve medicinal, u mundëson njerëzve me vizion e kurajë punojnë për vete e familjen, por edhe komunitetin.

Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj duke folur sot në aktivitetin “Bashkia që Duam”, Malësi e Madhe ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, u shpreh se, “ky investim që kap vlerën e jo më pak se 2 milionë dollarëve është pjesë e vizionit të Kryeministrit sepse po të mos bëhej pjesë e projektit të Masterplanit të Malësisë së Madhe nuk do ishte i mundur”.

Marinaj theksoi se falë këtij investimi përfitojnë banorët e zonës, por edhe produktet shkojnë në SHBA apo Gjermani të përpunuara.

Kryebashkiaku Marinaj falënderoi kryeministrin për investimet në Malësinë e Madhe.

“Në emër të të gjithë banorëve të Bajzës që sapo e inspektuam, për Koplikun që do shkojmë pas pak, një falënderim për infrastrukturën shkollore sepse janë realizuar projekte perfekte”, tha Marinaj.

Marinaj gjithashtu theksoi se së shpejti do të realizohet një investim i madh edhe për qendrën e Vermoshit.

“Realizohet një investim prej 1 miliardë e 350 milionë lekësh të vjetra ku do të kthehet në një pikë turistike të menaxhuar nga Fondi i Zhvillimit ku do të përfitojnë edhe 15 vetë që do të punësohen në zonën e Kelmendit, ku do t’i japë një frymëmarrje asaj zone që është në fazat e para të zhvillimit”, tha Marinaj.

Kryebashkiaku Marinaj nënvizoi se në Malësi të Madhe është investuar edhe për rrjetin e kanalizimeve. “Kemi bërë çdo përpjekje që çdo fond të shkojë në destinacionin e duhur, por jo të devijohet. Kemi bërë përpjekjet e duhura që fermerët të jenë të përqendruar në mbledhjen e kulturave”, tha Marinaj./atsh