Lifestyle

Aftësia “e pafundme” e kancerit për të evoluar

Obeziteti, duhani, alkooli dhe dieta e varfër rrisin rrezikun e disa llojeve të kancerit. Trajtimi i inflamacionit në trup po shihet gjithashtu si mënyrë për ta parandaluar kancerin. Inflamacioni është shpjegimi i mundshëm për ndotjen e ajrit që shkakton kancer të mushkërive dhe sëmundje inflamatore të zorrëve duke rritur rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Një analizë e paprecedentë se si rriten kanceret ka zbuluar një aftësi “pothuajse të pafundme” të tumoreve për të evoluar dhe mbijetuar, kanë bërë të ditur shkencëtarët.

Rezultatet e gjurmimit të kancerit të mushkërive për nëntë vjet e lanë ekipin hulumtues “të befasuar” dhe “të mahnitur” nga forca e frikshme që ata kishin përballë.

Ata kanë arritur në përfundimin se ne kemi nevojë për më shumë fokus në parandalimin, me një kurë “universale” që nuk ka gjasa të gjendet së shpejti.

Cancer Research UK ka njoftuar se zbulimi i hershëm i kancerit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Studimi - i titulluar TracerX - ka ofruar analizën më të thellë se si evoluojnë kanceret dhe çfarë e shkakton përhapjen e tyre.

Kanceret ndryshojnë dhe evoluojnë me kalimin e kohës - ato nuk janë fikse dhe të pandryshueshme. Mund të bëhen më agresivë: sulmojnë sistemin imunitar dhe janë në gjendje të përhapen nëpër trup.

Një tumor fillon si një qelizë e vetme, e korruptuar, por bëhet një përzierje e miliona qelizave që të gjitha kanë pësuar mutacion në mënyra paksa të ndryshme.

TracerX e ka gjurmuar atë diversitet dhe se si ndryshon me kalimin e kohës brenda pacientëve me kancer të mushkërive dhe thotë se rezultatet do të zbatohen në lloje të ndryshme të kancerit.

“Kjo nuk është bërë kurrë më parë në këtë shkallë”, ka theksuar prof Charles Swanton, nga Instituti Francis Crick dhe University College London.

Mst: Trajtimi i njerëzve

Më shumë se 400 njerëzve - të trajtuar në 13 spitale në Mbretërinë e Bashkuar - iu morën biopsi nga pjesë të ndryshme të kancerit të mushkërive teksa sëmundja përparonte.

“Më ka befasuar se sa të adaptueshëm mund të jenë tumoret”, ka theksuar Swanton.

“Nuk dua të tingëlloj shumë dëshpërues për këtë, por mendoj – duke pasur parasysh mundësitë pothuajse të pafundme në të cilat një tumor mund të evoluojë, dhe numrin shumë të madh të qelizave në një tumor të fazës së vonë, që mund të jetë disa qindra miliardë qeliza - atëherë arritja e kurave për të gjithë pacientët me sëmundje në fazën e vonë është një detyrë e vështirë”.

“Nuk mendoj se do të jemi në gjendje të dalim me kura universale”, ka bërë të ditur Swanton.

“Nëse duam të kemi ndikimin më të madh, duhet të fokusohemi në parandalimin, zbulimin e hershëm dhe zbulimin e hershëm të rikthimit”.

Obeziteti, duhani, alkooli dhe dieta e varfër rrisin rrezikun e disa llojeve të kancerit. Trajtimi i inflamacionit në trup po shihet gjithashtu si mënyrë për ta parandaluar kancerin. Inflamacioni është shpjegimi i mundshëm për ndotjen e ajrit që shkakton kancer të mushkërive dhe sëmundje inflamatore të zorrëve duke rritur rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Analiza evolucionare është publikuar në shtatë studime të veçanta në revistat “Nature” dhe “Nature Medicine”.

Hulumtimi ka treguar se:

Qelizat shumë agresive në tumorin fillestar janë ato që përfundimisht përfundojnë duke u përhapur nëpër trup

Tumoret që tregonin nivele më të larta të “kaosit” gjenetik kishin më shumë gjasa të riktheheshin pas operacionit në pjesë të tjera të trupit

Analizimi i gjakut për fragmente të ADN-së së tumorit nënkuptonte se shenjat e kthimit të tij mund të dalloheshin deri në 200 ditë përpara se të shfaqeshin në një skanim CT.

Makineria qelizore që lexon udhëzimet në ADN-në tonë mund të korruptohet në qelizat kancerogjene duke i bërë ato më agresive.

Studiuesit shpresojnë se gjetjet në të ardhmen mund t'i ndihmojnë ata të parashikojnë se si do të përhapet tumori i pacientit dhe ta përshtatin trajtimin.

Dr David Crosby, kreu i parandalimit dhe zbulimit të hershëm në Cancer Research UK, është shprehur se rezultatet emocionuese që dalin nga TracerX përmirësojnë të kuptuarit tonë se kanceri është një sëmundje që evoluon teksa përparon, që do të thotë se kanceret në fazën e vonë mund të bëhen shumë të vështira për t'u trajtuar me sukses.

“Kjo nënvizon rëndësinë thelbësore të kërkimeve të mëtejshme për të na ndihmuar t’i zbulojmë kanceret në fazat më të hershme të zhvillimit të tyre ose edhe më mirë, për t'i parandaluar ato të ndodhin fare”, ka theksuar Crosby.

Përktheu: Blerta Haxhiu