Lifestyle

A mund të ndihmojë “gërryerja e avancuar shkëmbore” luftimin e ndryshimeve klimatike?

Disa ekspertë shqetësohen se teknikat e heqjes së karbonit si kjo mund t'i shpërqendrojnë njerëzit nga prioriteti më urgjent i uljes së emetimeve dhe madje mund të përdoren si justifikim për të vazhduar jetën tonë intensive me karbon. UNDO-ja ka plane për t'u rritur me shpejtësi gjatë viteve të ardhshme dhe ka tërhequr disa mbështetës seriozë. Microsoft ka rënë dakord të paguajë për 25 mijë tonë bazalt që do të shpërndahen në fushat e Mbretërisë së Bashkuar. Si pjesë e marrëveshjes, Microsoft do të ndihmojë gjithashtu në auditimin e projektit dhe do të verifikojë që ai po funksionon siç është menduar

Në një gurore të rrethuar nga zhurma e makinerive të rënda, Jim Mann ulet dhe merr një grusht gurësh të vegjël të zinj.

“Ky është pluhuri im magjik”, thotë ai duke buzëqeshur, duke e kaluar pluhurin butësisht mes gishtave.

Ai mban copëza bazalti. Është një shkëmb i fortë vullkanik që nuk është as i rrallë dhe as veçanërisht i jashtëzakonshëm.

Por përmes një procesi të njohur si “gërryerja e avancuar shkëmbore” mund të ndihmojë në ftohjen e planetit tonë në ngrohje e sipër.

Mbjellja e pemëve

Shkencëtarët e OKB-së tani e kanë të qartë se vetëm ulja e emetimeve të gazeve serrë nuk do të jetë e mjaftueshme për të ndaluar nivelet e rrezikshme të ngrohjes. Ata thonë se do të duhet të hiqet pak dyoksidi i karbonit - duke e nxjerrë atë në mënyrë aktive nga atmosfera.

Mbjellja e pemëve është mënyra më e natyrshme për ta bërë këtë, por ka kufizimet e veta; CO2 që kapet lirohet kur druri kalbet ose digjet dhe ka kufizime se sa gjerësisht mund të mbillen pemët.

“Kapja e drejtpërdrejtë e ajrit” (DAC), ndërkohë, thith mekanikisht CO2 nga atmosfera dhe e ruan atë nën tokë; është e përhershme - por a ka kuptim të ndërtojmë një proces kaq intensiv energjie kur përpiqemi të heqim dorë nga lëndët djegëse fosile?

Erozioni i avancuar shkëmbor ndodhet diku midis natyrës dhe asaj çka është krijuar nga njeriu.

Unë kam ardhur në një gurore pikërisht matanë Firth of Forth nga Edinburgu për të parë Jimin, kompania e të cilit për pastrimin e shkëmbinjve UNDO sapo ka siguruar 12 milion £ investim të ri dhe po kërkon t’i rrisë operacionet.

Rreth nesh kodra e zezë po gërryhet vazhdimisht, e gërvishtur nga gërmues të mëdhenj për të bërë beton dhe asfalt për rrugët. Kjo atmosferë është më shumë një apokalips pasbërthamor sesa shpëtimi i planetit.

Neutralizimi i ngadalshëm

Por pjesët e vogla të shkëmbinjve të bazaltit që kanë mbetur vlerësohen nga kompania e Jimit. Ata kanë një veti të dobishme – largojnë dyoksidin e karbonit nga atmosfera.

Për mijëravjeçarë, shkëmbinjtë dhe gurët vullkanikë e kanë hequr karbonin ngadalë gjatë reshjeve që kanë ulur shkallën e ndotjes. Erozioni i avancuar shkëmbor përdor copa të vogla për të rritur sasinë e kontaktit midis shiut dhe shkëmbit dhe rrjedhimisht heqjen e karbonit.

Si një shkëmb, ose i grumbulluar në gurore, bazalti neutralizohet shumë ngadalë. Për ta maksimizuar heqjen e karbonit duhet të shpërndahet në një zonë më të madhe.

Dhe këtu hyjnë fermerët vendës, duke ndihmuar planetin duke marrë pleh falas në këmbim. Përveç mbylljes së karbonit, bazalti është treguar në prova se përmirëson si rendimentin e të korrave ashtu edhe cilësinë e kullotjes.

Gjysmë ore me makinë larg gurores e shikoj duke u shpërndarë në një fushë.

Nuk kërkon pajisje të specializuara. Një rimorkio ngarkohet me 20 tonë bazalt përpara se një traktor ta tërheqë atë lart e poshtë, një rrotë rrotulluese në pjesën e pasme që shpërndan shkëmbinjtë e vegjël.

“Është pa pagesë, gjë që është mjaft e rëndësishme për një fermer”, ka thënë John Logan duke qeshur, teksa bazalti vendoset në arën e tij. Ai kishte parë provat e UNDO-së në një fermë fqinje.

“Duket se do ta bëjë barin më të mirë, kështu që kjo mund të jetë e mirë vetëm për bagëtinë, sepse ata po hanë bar më të mirë”.

Disa ekspertë shqetësohen se teknikat e heqjes së karbonit si kjo mund t'i shpërqendrojnë njerëzit nga prioriteti më urgjent i uljes së emetimeve dhe madje mund të përdoren si justifikim për të vazhduar jetën tonë intensive me karbon.

UNDO ka plane për t'u rritur me shpejtësi gjatë viteve të ardhshme dhe ka tërhequr disa mbështetës seriozë. Microsoft ka rënë dakord të paguajë për 25 mijë tonë bazalt që do të shpërndahen në fushat e Mbretërisë së Bashkuar. Si pjesë e marrëveshjes, Microsoft do të ndihmojë gjithashtu në auditimin e projektit dhe do të verifikojë që ai po funksionon siç është menduar.

Pa asnjë anë negative

“Kimia thelbësore e kësaj ka kuptim”, ka theksuar dr. Steve Smith, ekspert në heqjen e karbonit nga Universiteti i Oksfordit.

Në fund të fundit, Smith mendon se ideja mund të përfundojë vetëm një pjesë standarde të mënyrës së kultivimit të tokës.

Ka ende shumë pyetje rreth asaj se sa i shkallëzuar është si projekt. Projektet e UNDO-së përdorin nënprodukt nga guroret lokale - por nëse kjo zgjerohet masivisht, energjia dhe emetimet do të nevojiten për ta grimcuar bazaltin dhe më pas transportin dhe shpërndarjen e tij.

“Në këtë pikë në kohë, nuk ka asnjë anë negative, është një fitore për të gjithë të përfshirët”, ka treguar Jim Mann.

Këtë vit UNDO-ja planifikon të përhapë 185 mijë tonë bazalt dhe shpreson që deri në vitin 2025 të ketë hequr një milion ton CO2. Është ende një pikë në oqean në krahasim me emetimet. Në vitin 2022 mendohej se bota shkarkoi rreth 37 miliardë ton CO2 në atmosferë.

Përktheu: Blerta Haxhiu