Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkrirja e akullit në Grenlandë rrezikon pasoja të mëdha për planetin

CNN - Zona e shkrirjes së akullit të Grenlandës në tri dekadat e fundit është përafërsisht 36 herë më e madhe se madhësia e qytetit të New Yorkut – toka me shpejtësi po i lëshon vendin moçalishteve dhe shkurreve, tregon një studim i publikuar të martën.

Sasia e vegjetacionit në Grenlandë është dyfishuar mes viteve 1980 dhe 2010, teksa pjesët e vendit që dikur ishin të mbuluara nga akulli janë transformuar në djerrina shkëmbore, moçalishte dhe zona shkurresh. Vetëm ligatinat janë katërfishuar gjatë asaj kohe.

Duke analizuar pamjet satelitore, shkencëtarët kanë gjetur se Grenlanda ka humbur 28,707 kilometra katrorë akull në një periudhë prej tre dekadash dhe kanë paralajmëruar sërë ndikimesh që mund të kenë pasoja të rënda në ndryshimin e klimës dhe rritjen e nivelit të detit.

Temperaturat më të ngrohta të ajrit kanë shkaktuar shkrirjen e akullit. Kjo ka rritur temperaturën e tokës. Kjo ka shkaktuar shkrirje të shtresës së ngrirë menjëherë nën sipërfaqen e Tokës dhe e gjetur në pjesën më të madhe të Arktikut. Shkrirja e kësaj shtrese lëshon dyoksid karboni dhe metan, të cilat e ngrohin planetin, duke kontribuar edhe më shumë në ngrohjen globale. Shkrirja e saj gjithashtu po shkakton paqëndrueshmëri të tokës, e cila mund të ndikojë në infrastrukturë dhe ndërtesa.

“Kemi parë shenja që shkrirja e akullit po shkakton reaksione të tjera, të cilat do rezultojnë në shkrirje të mëtutjeshme të akullit dhe ‘gjelbërim’ të Grenlandës, ku zvogëlimi i shtresave të akullit ekspozon gurët që pastaj mbushen me tundra dhe shkurre”, ka thënë Jonathan Carrivick, autor i raportit. “Në të njëjtën kohë, uji i lëshuar nga akujt e shkrirë po lëviz baltën dhe kjo formon moçalishtet dhe ligatinat”.

Teksa akulli zhduket, zonat tërheqin më shumë energji solare, duke rritur temperaturat e sipërfaqes tokësore, e cila mund të shkaktojë shkrirje të mëtejme dhe ndikime të tjera negative. Shkrirja e akullit rrit nivelin e ujit në liqene, ku uji absorbon më shumë nxehtësi sesa borë, me ç’rast rritet niveli i temperaturave të sipërfaqes tokësore.

Grenlanda është duke u ngrohur dyfish më shumë që nga vitet e ’70 dhe studiuesit paralajmërojnë për temperatura ekstreme në të ardhmen.

Michael Grimes, autori kryesor i raportit, ka thënë se rrjedha e sedimenteve dhe lëndëve ushqyese në ujërat bregdetare është veçanërisht problematike për komunitetet që mbështeten te peshkimi, gjithashtu edhe për gjuetarët në pjesët tjera të ishullit.

“Këto ndryshime janë kritike, veçanërisht për popullatën, praktikat tradicionale të gjuetisë së të cilave mbështeten në stabilitetin e këtyre ekosistemeve delikate”, ka thënë Grimes. “Për më tepër, humbja e masës së akullit në Grenlandë është kontribuues i konsiderueshëm në rritjen globale të nivelit të detit, prirje që paraqet sfida të rëndësishme si tani ashtu edhe në të ardhmen”.

Artikuj të ngjashëm