“Disa dekada më parë u supozua se këto rezervuare të mëdha akulli ndryshuan ngadalë, por me përdorimin e vëzhgimeve satelitore, vëzhgimeve në terren dhe teknikave të modelimit, ne kemi arritur të mësojmë se akulli i përgjigjet me shpejtësi klimës sonë në ndryshim”, ka thënë studiuesi i akullit në Universitetin e Kolorados dhe ish-shkencëtari kryesor i NASA-s, Waleed Abdalati
Shtresat e akullit të Grenlandës dhe Antarktidës tani po humbasin tri herë më shumë akull në vit sesa 30 vjet më parë, sipas një studimi të ri gjithëpërfshirës ndërkombëtar.
Duke përdorur 50 vlerësime të ndryshme satelitore, studiuesit kanë zbuluar se shkrirja e Grenlandës është bërë me shpejtësi edhe më të madhe në vitet e fundit. Shkrirja mesatare vjetore e Grenlandës nga viti 2017 në 2020 ishte 20% më shumë në vit se në fillim të dekadës dhe më shumë se shtatë herë më e lartë se tkurrja e saj vjetore në fillim të viteve 1990.
Shifrat e reja “janë vërtet shumë katastrofike”, ka bërë të ditur bashkautorja e studimit, Ruth Mottram, shkencëtare klimatike në Institutin Meteorologjik Danez. “Ne po humbasim gjithnjë e më shumë akull nga Grenlanda”.
Autorja kryesore e studimit, Ines Otosaka, studiuese e akullnajave në Universitetin e Leedsit në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se humbja e përshpejtuar e shtresës së akullit është shkaktuar qartë nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Ndryshimet nëpër kohë
Nga viti 1992 deri në vitin 1996, dy shtresat e akullit – të cilat mbajnë 99% të akullit të ujërave të ëmbla në botë – po tkurren me 116 miliardë tonë (105 miliardë tonë metrikë) në vit, dy të tretat e tyre nga Antarktida.
Por nga viti 2017 deri më 2020, të dhënat më të reja tregojnë se shkrirja e kombinuar u rrit në 410 miliardë tonë (372 miliardë tonë metrikë) në vit, më shumë se dy të tretat e saj nga Grenlanda.
“Kjo është një trajektore shkatërruese”, ka theksuar zëvendës-shkencëtarja e Qendrës Kombëtare të Borës dhe Akullit të SHBA-së, Twila Moon, e cila nuk ishte pjesë e studimit. “Këto ritme të humbjes së akullit janë të pashembullta gjatë qytetërimit modern”.
Që nga viti 1992, Toka ka humbur 8.3 trilionë tonë (7.6 trilionë tonë metrikë) akull nga dy shtresat e akullit, bën të ditur studimi. Kjo është e mjaftueshme për t’i përmbytur Shtetet e Bashkuara me 33.6 inç (pothuajse 0.9 metra) ujë ose për ta zhytur Francën në afërsisht 15 metra.
Por për shkak se oqeanet e botës janë kaq të mëdhenj, shkrirja vetëm nga shtresat e akullit që nga viti 1992 ende shton vetëm pak më pak se 21 milimetra rritje të nivelit të detit, mesatarisht. Rritja globale e nivelit të detit po përshpejtohet dhe shkrirja nga shtresat e akullit ka kaluar nga kontributi i 5% të rritjes së nivelit të detit në tani që përbën më shumë se një të katërtën e tij, ka zbuluar studimi. Pjesa tjetër e rritjes së detit vjen nga zgjerimi i ujit të ngrohtë dhe nga shkrirja nga akullnajat.
Një ekip prej më shumë se 65 shkencëtarësh llogarit rregullisht humbjen e shtresës së akullit në kërkimet e financuara nga NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës, me studimin e fundit duke shtuar edhe tre vjet të dhëna. Ata përdorin 17 misione të ndryshme satelitore dhe ekzaminojnë shkrirjen e fletëve të akullit në tri teknika të dallueshme, ka sqaruar Otosaka, dhe të gjithë satelitët, radarët, vëzhgimet në tokë dhe simulimet kompjuterike në thelb thonë të njëjtën gjë -- shkrirja e fletës së akullit po përshpejtohet.
Grenlanda nga viti 2017 deri në vitin 2020 ka mesatarisht rreth 283 miliardë tonë (257 miliardë tonë metrikë) shkrirje në vit, krahasuar me vetëm 235 miliardë tonë (213 miliardë tonë metrikë) në vit nga 2012 deri në vitin 2016.
Situatë shqetësuese
Shifrat e fundit kanë treguar gjithashtu atë që duket si ngadalësim i shkrirjes në pjesë të Antarktidës, e cila ka shumë më tepër akull se Grenlanda. Kjo është kryesisht për shkak të ndryshimeve më të vogla dhe kalimtare të motit dhe tendenca e përgjithshme afatgjatë tregon ende një përshpejtim të shkrirjes në Antarktidë, ka shpjeguar Mottram.
Antarktida nga viti 2017 deri në vitin 2020 ende po humb rreth 127 miliardë tonë (115 miliardë tonë metrikë) akull në vit, 23% më pak nga fillimi i dekadës, por në përgjithësi 64% nga fillimi i viteve 1990.
“Teksa humbja masive nga Grenlanda po e tejkalon atë nga Antarktida, gjendja është më shqetësuese në jug, veçanërisht sjellja e akullnajës Thwaites, e cila quhet akullnaja e Ditës së Fundit”, ka thënë Mark Serreze, drejtor i qendrës së borës dhe akullit në SHBA, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Autorët e studimit kanë përdorur ndryshimet në gravitetin dhe në lartësinë e akullit dhe matën se sa borë ra, sa borë u shkri, sa akull humbi në ajsbergët dhe sa u shkri poshtë nga uji më i ngrohtë që endet nëpër akull.
“Kjo ka rëndësi sepse rritja e nivelit të detit do të zhvendosë ose do të ndikojë financiarisht në qindra miliona njerëz, nëse jo miliarda, dhe ka të ngjarë të kushtojë triliona dollarë”, ka thënë studiuesi i akullit në Universitetin e Kolorados dhe ish-shkencëtari kryesor i NASA-s, Waleed Abdalati, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Studimi “nuk është aq befasues sa është shqetësues”, ka theksuar Abdalati në një email. “Disa dekada më parë u supozua se këto rezervuare të mëdha akulli ndryshuan ngadalë, por me përdorimin e vëzhgimeve satelitore, vëzhgimeve në terren dhe teknikave të modelimit, ne kemi arritur të mësojmë se akulli i përgjigjet me shpejtësi klimës sonë në ndryshim”. (Përktheu: Blerta Haxhiu)