Një pjesë e njerëzve e nisin ditën me dush, të tjerë e mbyllin. Por, kush e ka “më të drejtë”? Në fakt, rreth 34 për qind e amerikanëve nuk bëjnë fare dush çdo ditë.
Për ata që e bëjnë, pyetja mbetet: A është më mirë në mëngjes apo në mbrëmje?
BBC ka shkruar se shumë njerëz e duan dushin e mëngjesit, sepse 10 minuta nën ujë i ndihmon të zgjohen dhe të ndihen gati për ditën. Ndërsa të tjerë thonë se dushi para gjumit është më i dobishëm, sepse largon papastërtitë e ditës dhe të lejon të flesh i pastër.
Çfarë thotë shkenca?
Dushi ndihmon të largosh papastërtitë, yndyrën, djersën dhe pluhurin që mblidhen gjatë ditës. Nëse nuk lahesh para gjumit, të gjitha këto depozitohen në çarçafë e jastëkë. Për më tepër, lëkura është e mbushur me baktere që ushqehen me yndyrën e trupit. Djersa në vetvete nuk ka erë, por komponimet që prodhojnë bakteret, si staphylococcus, janë ato që sjellin erën e pakëndshme.
Kjo e bën dushin e mbrëmjes të duket më higjienik. Por gjërat nuk janë aq të thjeshta.
“Edhe nëse lahesh në mbrëmje, gjatë natës përsëri djersit. Një person mesatar lëshon deri në gjysmë litri djersë në shtrat dhe heq rreth 50 mijë qeliza të lëkurës, një ‘bufe’ e vërtetë për parazitët e pluhurit”, ka thënë Primrose Freestone, mikrobiologe në Universitetin e Leicesterit.
Pra, nëse bën dush por nuk ndërron shpesh çarçafët, nuk ke bërë gati asgjë.
“Është ndoshta më e rëndësishme të pastrosh rregullisht çarçafët sesa të lahesh në mbrëmje. Sepse nëse shkon në shtrat i larë, por i lë çarçafët me muaj pa i ndërruar, aty do të grumbullohen baktere, papastërti dhe parazitë pluhuri”, ka shpjeguar Holly Wilkinson, ligjëruese në Universitetin e Hullit.
Ekspozimi i gjatë ndaj mbetjeve të parazitëve rrit rrezikun e alergjive. Për njerëzit që kanë astmë ose janë të ndjeshëm ndaj polenit, kjo mund të përkeqësojë simptomat.
Dushi dhe gjumi
Një tjetër argument për dushin e mbrëmjes është gjumi më i mirë. Një meta-analizë e 13 studimeve ka treguar se një dush i ngrohtë për 10 minuta, një ose dy orë para gjumit, ndihmon njerëzit të bien më shpejt në gjumë. Ngritja e temperaturës së trupit dhe më pas ulja e saj duket se i jep sinjal trupit që është koha për gjumë.
Atëherë, kur është më mirë?
Freestone personalisht preferon dushin e mëngjesit.
“Kjo të lejon të pastrohesh nga djersa dhe mikrobet që ke mbledhur gjatë natës, dhe e nis ditën më i freskët”, ka thënë ajo.
Por, sipas Wilkinsonit, nuk ka shumë rëndësi.
“Nëse laheni një herë në ditë, nuk ka ndonjë diferencë të madhe nëse e bëni në mëngjes apo në mbrëmje”, ka thënë ajo.
Madje, ajo shton se për shëndet e higjienë, shpesh mjafton një dush dy herë në javë, për sa kohë që lan rregullisht zonat kryesore të trupit.
“Sigurisht, kjo varet nga puna që bën. Një fermer, për shembull, me siguri ka nevojë të lajë trupin në fund të ditës. Por në përgjithësi, mbajtja e shtratit të pastër është më e rëndësishme”, ka thënë ndër të tjera Wilkinson.