Lifestyle

5 gjërat që duhet t’i pastroni çdo ditë në shtëpi

Me siguri shumë prej jush e përpiloni listën e gjërave që planifikoni t’i bëni gjatë ditës, e të cilat shpesh e tejkalojnë normën e kohës dhe energjisë, të cilat i posedoni në një ditë.

Kjo vlen edhe për rutinën tuaj ditore të pastrimit të shtëpisë, transmeton Koha.

Pastrimi i pllakave të kuzhinës tingëllon si ide e mirë në orën 10 të mëngjesit, por në ora 10 të mbrëmjes e vetmja gjë për të cilën kemi energji, është të shtrihemi në kanape dhe ta shikojmë ndonjë program apo film në televizor.

Për ta bërë rutinën ditore të pastrimit më të lehtë dhe reale, iu rekomandohet t’i anashkaloni disa detyra, të cilat me lehtësi mund të shmangen.

Por, janë ca gjëra në shtëpi të cilat nuk duhet të harroni t’i pastroni çdo ditë, sepse ato mund të kenë pasoja serioze në shëndetin tuaj dhe të familjes.

Lani enët

Është e lehtë t’i lësh enët e palara për t’u grumbulluar, por shmangia e kësaj detyre gjatë ditës mund ta bëjë shtëpinë tuaj të kundërmojë aromë të keqe, si dhe të tërhiqni insekte. Nëse keni makinë për larjen e enëve në shtëpi, përmbushja e kësaj detyre bëhet më e lehtë. Në vend se të prisni që enët tuaja të grumbullohen, preferohet që ta shmangni lavamanin dhe çdo enë të palarë ta fusni direkt në makinë. Koordinohuni me të gjithë familjarët që të veprojnë njësoj, dhe ju asnjëherë nuk do të ktheheni në shtëpi për ta gjetur një grumbull me enë të palara.

Fshini banakun e kuzhinës

Nëse gjatë natës në banakun e kuzhinës keni lënë thërrmija apo njolla të ushqimit dhe pijeve, ato jo vetëm që do t’i tërheqin insektet në shtëpinë tuaj, por edhe bëhet më e vështirë për t’i pastruar në mëngjes. Për t’i kursyer vetes punë, kushtojini pak kohë pastrimit të banakut të kuzhinës para se të shtriheni për të fjetur. Po ashtu, është ndjenjë shumë më e mirë të zgjohesh në mëngjes në një kuzhinë të pastër dhe vezulluese.

Hidhni mbeturinat

Pavarësisht nëse keni përgatitur peshk për drekë ose i keni larguar të gjitha ushqimet pa afat nga frigoriferi juaj, është gjithmonë ide e mirë t’i hidhni mbeturinat e mbledhura gjatë ditës në kuzhinë. Në të kundërtën, mbetjet e ushqimit fillojnë të lëshojnë erë të keqe, si dhe tërheqin insekte.

Pastroni njollat

Kur aksidentalisht e derdhni një gotë verë ose gjatë ngrënies së ushqimit, nga pakujdesia ju shkaktoni njolla në ambientin e shtëpisë, nuk duhet t’i injoroni ato. Sa më gjatë që prisni për t’i pastruar njollat, aq më vështirë do ta keni t’i largoni ato tërësisht. Mos e lini pastrimin e tyre për ditën tjetër, sepse kështu rrezikoni t’i shkatërroni pajisjet apo mobiliet e shtëpisë.

Pastroni pllakat e tushit

Pastrimi i mureve të tushit nuk konsiderohet pastrim ditor, por nëse ia shtoni këtë detyrë 30-sekondëshe rutinës suaj të pastrimit, atëherë e shmangni krijimin e njollave nga sapuni dhe mykut. Për shkak se pastrimi i tushit nuk kërkon shumë kohë, ai jua kursen disa orë të fërkimit të këtyre njollave nëse e pastroni tushin vetëm një herë në javë.