Numri i rasteve me kancer te burrat dhe numri i vdekjeve të burrave nga kjo sëmundje pritet të rritet deri në vitin 2050, sidomos te ata të moshës mbi 65 vjeç.
Në një studim që u bë së fundmi dhe u publikua në gazetën “Cancer”, studiuesit nga Australia kanë analizuar rastet dhe vdekjet nga 30 lloje të kancerit në 185 vende në vitin 2022 duke bërë projektime për të ardhmen, shkruan CNN.
Studimi parasheh se rastet e përgjithshme me kancer te burrat do të rriten nga 10.3 milionë që ishin në vitin 2022, në 19 milionë në vitin 2050, një rritje prej 84 për qind. Vdekjet nga kanceri projektohet se do të rritën nga 5.4 milionë që ishin në vitin 2022, në 10.5 milionë në vitin 2050, një rritje prej 93 për qind. Vdekjet te burrat 65 vjeç e më të vjetër parashihen se do të rriten prej 117 për qind.
Vendet që kanë më pak të ardhura financiare gjithashtu pritet të shohin rritje më të madhe të vdekjeve të burrave nga kanceri. “Në mes të viteve 2022 dhe 2050, në Afrikë dhe lindje të Mesdheut, numri i rasteve dhe vdekjeve projektohet të rritet. Ndërsa në Evropë, projektohet që rritja të jetë përgjysmë më e vogël”, thuhet në deklaratën e studimit.
Burrat kanë më shumë predispozita të vdesin nga kanceri sepse ata pinë më shumë duhan dhe alkool, sjellje këto që janë shkaktar të shumë rasteve me kancer. Përveç kësaj, burrat kanë më pak qasje në programet që nxisin për të bërë kontrolle e skanime.
Kanceri i mushkërive parashihet të jetë shkaku numër një i vdekjeve nga kanceri te burrat në vitin 2050. Llojet e kancereve që parashihet të jenë më të shpeshtat janë mesothelioma për rastet më të shpeshta dhe ai i prostatës për vdekjet më të shpeshta.
Studiuesit kanë deklaruar se qasja më e mirë në shëndet dhe infrastrukturë, përfshirë një vend pune adekuat, janë të nevojshme për përmirësimin e shifrave aktuale të rasteve dhe vdekjeve nga kanceri që pritet të ndodhin deri në vitin 2050.
Më parë gjatë këtij viti, raporti nga American Cancer Society, ka gjetur se barra më e madhe e kancerit në botë është rritja e popullsisë dhe plakja, me popullsinë globale që është afër 8 miliardë në vitin 2022 e cila projektohet të arrij 9.7 miliardëshin deri në vitin 2050.
“Kur bëhet fjalë për numrin e rasteve me kancer në botë, ne mendojmë se do të shkojë deri në 35 milionë deri në vitin 2050, kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë”, ka thënë për CNN doktori William Dahut, shef në American Cancer Society.
Ai ka shtuat se nëse më shumë njerëz konsumojnë duhan e kanë mbipeshë, bashkë me të tjerë faktorë rreziku për kancerin, numri i rasteve mund të rritet edhe më shumë, sidomos në vendet e pa zhvilluara ekonomikisht.