Vitaminat shtesë që njihen si suplemente, mund të shkaktojnë shumë probleme shëndetësore nëse merren në masë të madhe, raporton Insider.
Kohët e fundit është bërë disi si një “shprehi” që të merren vitamina të ndryshme për çështje të ndryshme, por kjo po del të jetë një zakon i keq.
Në mënyrë që të rrisin jetëgjatësinë, disa njerëz po u drejtohen shtesave në një përpjekje për të qëndruar më të rinj edhe me kalimin e viteve. Shtesat për jetëgjatësi si vitamina D, magnezi, omega-3 dhe përforcuesit NAD+ janë bërë gjithnjë e më popullore në mesin e njerëzve që nuk po duan të plaken.
Shkencëtarët e çështjeve shëndetësore kanë filluar të ua tërheqin vërejtjen personave që po e bëjnë këtë gjë, sepse sipas tyre, marrja e shumë suplementeve është sikur një bombë në organizëm, sidomos atëherë kur këto shtesa vitaminash kombinohen me medikamente të ndryshme për trajtimin e ndonjë sëmundjeje.
Marrja e shumë suplementeve mund të shkaktojnë rrezik nga infektimi me to, kjo sepse një palë suplementesh mund të kundërveprojnë me të tjerat suplemente si dhe me medikamente në mënyrë të rrezikshme.
Për shembull, magnezi mund të nderveprojë me antibiotikët, si dhe me disa ilaçe për tensionin e gjakut, sipas WebMD.
Shtesat omega-3 mund të bashkëveprojnë me ilaçet për hollimin e gjakut dhe të shkaktojnë gjakderdhje vdekjeprurëse. Gjithashtu mund të shkaktojë edhe gjakderdhje te mishrat e dhëmbëve, tension të ulët të gjakut dhe probleme me stomak.
Magnezi mund të jetë toksik nëse merret shumë. Shenjat e toksicitetit të magnezit mund të përfshijnë dobësimin e muskujve, tensionin e ulët të gjakut dhe konfuzionin.
Edhe shumë vitaminë D mund të çojë në një grumbullim të kalciumit në zemër, gjak, veshka dhe mushkëri. Në raste ekstreme, është raportuar se shkakton dështimin e veshkave.
“Jam i tmerruar që mësova se të rinjtë (më të rinj se 40 vjeç) pa diabet do të konsideronin marrjen e metforminës për jetëgjatësi”, ka shkruar në “X” Nir Barzilai, drejtor i Institutit për Studimet mbi Moshën në Kolegjin e Mjekësisë “Albert Einstein” në New York.
Metformina zakonisht rekomandohet për diabetin, por është bërë popullore si një ilaç i mundshëm për jetëgjatësinë.
Ashtu si shumica e ilaçeve, metformina ka efekte anësore. Në disa njerëz, ajo mund të ulë testosteronin dhe të parandalojë rritjen e muskujve. Një studim i vitit 2022 zbuloi gjithashtu se dëmtonte spermën e meshkujve aq shumë sa të ndikojë në defekte të lindjes.