Lifestyle

Marrja e pilulave për gjumë rrit rrezikun për demencë

Marrja e një pilule për gjumë më të lehtë dhe më të gjatë sigurisht që tingëllon e përshtatshme, por studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë-San Francisko mund të bëjnë shumë njerëz të mendojnë dy herë kur marrin “Ambien”. Studimi i tyre zbulon se medikamente të ndryshme për gjumin, duke përfshirë Benzos, Ambien dhe ilaqet kundër depresionit, mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të demencës - veçanërisht tek njerëzit e racës së bardhë.

Megjithatë, ekipi hulumtues shton se si lloji ashtu edhe sasia e mjekimit mund të luajnë rol në shpjegimin e rrezikut më të lartë, shkroi Studyfinds.

Për këtë studim më të fundit, autorët e studimit analizuan afërsisht 3000 të moshuar pa demencë, të cilët jetonin jashtë shtëpive të pleqve. Mesatarja e pjesëmarrësve ishte 74 vjeç, dhe 42 për qind ishin të racës së zezë, ndërsa 58 për qind ishin të bardhë.

Gjatë rrjedhës së studimit, 20 për qind e atyre pjesëmarrësve zhvilluan demencë. Pjesëmarrësit e bardhë që "shpesh" ose "pothuajse gjithmonë" merrnin medikamente gjumi shfaqën një rrezik 79 për qind më të lartë për të zhvilluar demencë në krahasim me ata që "kurrë" ose "rrallë" përdorën pilula gjumi. Mes pjesëmarrësve të racës se zezë, përdoruesit e shpeshtë nuk dukeshin aq më të prirur për të zhvilluar demencë në krahasim me ata që abstenonin plotësisht ose përdornin rrallë ilaçe për gjumin.

Studimi zbulon se ata të racës së bardhë kishin 10 herë më shumë gjasa të përdornin trazodonin, një antidepresant i shitur nën emrat e markave Desyrel dhe Oleptro, të cilin mjekët e përshkruajnë gjithashtu si një ndihmë për gjumin. Njerëzit e bardhë kishin gjithashtu shtatë herë më shumë gjasa të merrnin "droga Z", si Ambien.