Lifestyle

Martesa e lumtur përmirëson shëndetin e zemrës, sipas studimit të ri

Cift, martesa

Martesa e lumtur u ndihmon njerëzve që kanë pësuar sulme në zemër që të marrin veten më shpejt, sipas një studimi të ri. Shkencëtarët në Universitetin Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjetur se harmonia në çift mund t’i reduktojë rreziqet që njerëzit të shtrihen në spital apo të kenë dhimbje gjoksi. Anasjelltas, një lidhje me më shumë stres çon në ndikime negative në rikuperim.

Autorët e studimit kanë thënë se gjetjet e tyre mund të ndihmojnë profesionistët të kenë qasje më të hollësishme ndaj shëndetit të zemrës, e cila do t’i merrte parasysh edhe shëndetin mendor e rrethanat personale të pacientit.

Përderisa hulumtimet e mëhershme kanë gjetur se stresi psikik e social mund të çojnë në rikuperim më të ngadalshëm nga sëmundjet e zemrës, ndikimi i raporteve bashkëshortore s’ishte studiuar.

Dr. Cenjing Zhu udhëhoqi studimin. Në të u studiuan 1593 të rritur, mes moshave 18 dhe 55-vjeçare, që u trajtuan për sulmet në zemër në periudhën 2008-12, në 103 spitale në SHBA. Të gjithë ishin të martuar ose në raporte dashurie në kohën kur përjetuan sulmet. Pjesëmarrësit raportuan vetë për nivelin e stresit martesor që kishin pasur vetëm një muaj pas sulmit. E bënë këtë raportim duke iu përgjigjur pyetjeve për shëndetin fizik e mendor dhe ndërveprimet sociale.

Hulumtuesit gjetën se pjesëmarrësit që raportuan për stres të moderuar ose të rëndë, kishin 67 për qind më shumë rrezik që të përjetonin dhimbje gjoksi dhe gati 50 për qind më shumë që të shtriheshin sërish në spital për çfarëdo arsye, më shumë se ata që kishin raportuar për pak ose fare stres.

Shkencëtarët po ashtu identifikuan edhe ndarjet gjinore. Gratë raportuan më shumë stres martesor sesa burrat. Katër në 10 gra raportuan për stres të rëndë, ndërsa te meshkujt raporti ishte tre në 10./Independent