Njerëzit e moshuar me hipotiroidizëm, i quajtur edhe tiroide joaktive, mund të jenë në rrezik të shtuar të zhvillimit të demencës, sipas një studim, raportoi të enjten neurosciencenews.
Rreziku i zhvillimit të demencës ishte edhe më i lartë për njerëzit, gjendja e tiroides së të cilëve kërkonte mjekim për zëvendësimin e hormoneve tiroide.
Hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone tiroide. Kjo mund të ngadalësojë metabolizmin. Simptomat përfshijnë ndjenjën e lodhjes, shtimin në peshë dhe ndjeshmërinë ndaj të ftohtit.
"Në disa raste, çrregullimet e tiroides janë shoqëruar me simptoma të demencës që mund të jenë të kthyeshme me trajtim", tha autori i studimit Chien-Hsiang Weng.
Për studimin, studiuesit shikuan të dhënat shëndetësore të 7,843 njerëzve të sapo diagnostikuar me demencë në Tajvan dhe i krahasuan me të njëjtin numër njerëzish që nuk kishin demencë. Mosha mesatare e tyre ishte 75 vjeç. Studiuesit kërkuan të shihnin se kush kishte një histori të hipotiroidizmit ose hipertiroidizmit.
Hipertiroidizmi, i cili quhet edhe tiroide tepër aktive, është kur tiroidja prodhon shumë hormone. Kjo mund të rrisë metabolizmin. Simptomat përfshijnë humbje peshe të paqëllimshme, rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës dhe nervozizëm ose ankth.
Gjithsej 102 persona kishin hipotiroidizëm dhe 133 kishin hipertiroidizëm. Studiuesit nuk gjetën asnjë lidhje midis hipertiroidizmit dhe demencës.