Lifestyle

Ruajtja e shëndetit para gjumit

Ekzistojnë disa shprehi të cilat mund të praktikohen çdo mbrëmje përpara gjumit dhe që ndihmojnë jo vetëm me fjetje të mirë, por edhe në mirëmbajtjen e fizikut.

Fikja e telefonit

Minimizimi i ekspozimit ndaj dritës së ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit është hapi më i rëndësishëm drejt një gjumi të mirë. Sipas ekspertëve, mjaftojnë vetëm 2 orë ekspozim ndaj dritës së ekranit të këtyre pajisjeve teknologjike, që nivelet e melatoninës (hormonit të gjumit) të bien për 23 për qind. Melatonina ka rëndësi sepse mungesa e saj prish cilësinë e gjumit dhe për pasojë rrit rrezikun e mbipeshës dhe diabetit.

Ngrënia e ushqimit më herët

Vakti i fundit, pra darka, duhet ngrënë herët dhe duhet të jetë e lehtë nëse dëshironi ta shmangni shtimin në peshë. Gjithçka ka të bëjë me insulinën e cila është më efikase në mëngjes. Insulina është një hormon që nxit muskujt dhe qelizat yndyrore që ta përthithin sheqerin në gjak, dhe ta kthejnë atë në energji ose ta ruajnë si depozitë dhjamore. Duke qenë se insulina është më efikase në mëngjes, ngrënia e një darke të rëndë bënë që të shtoni më shumë depozita dhjamore. Prandaj darka duhet ngrënë sa më herët. Nëse ju merr uria më vonë gjatë natës hani diçka me proteinë, siç është veza e zier.

Stimulimi i mendjes

Njerëzit që vuajnë nga stresi i përditshmërisë, gjasat janë që do të kenë nevojë të hanë më shumë dhe rrjedhimisht të përfundojnë duke u shëndoshur. Ekspertët shëndetësorë sugjerojnë që mënyra më e mirë për të luftuar stresin dhe mërzinë, është stimulimi i mendjes. Kjo mund të arrihet në forma të ndryshme, si përmes meditimit, leximit të një libri, ecjes në natyrë dhe të tjerë.

Shmangia e alkoolit

Alkooli prish jo vetëm cilësinë e gjumit por edhe i mpin shqisat dhe e nxit urinë. Askujt nuk i shkon mendja të hajë shëndetshëm pasi ka pirë disa gota alkool, ndaj në vend të tij preferohet të pihet ndonjë çaj bimor.

Mos harroni se fjetja në ambient të freskët e ndihmon arritjen e një gjumi më të mirë dhe misionin për t’i humbur kilogramët e tepërt/AgroWeb.