Lifestyle

Pandemia, ndryshimet klimatike e konfliktet nxitën thellimin e urisë globale

Rreth 50 shtete të botës po përballen me nivele serioze të urisë, pasi që mbi 320 milionë njerëz kanë humbur qasjen në ushqim vitin e kaluar, ka treguar një indeks i porsapublikuar

Uria botërore ishte paraparë që të çrrënjosej deri më 2030 – cak ky i caktuar nga Kombet e Bashkuara më 2015. Pas viteve të tëra përparim në uljen e numrit të njerëzve të uritur që nga viti 1960, arritja në nivelin zero të urisë më 2030 dukej si një cak i arritshëm për komunitetin ndërkombëtar.

Porse tani, “lufta kundër urisë është rrezikshmërisht jashtë binarëve”, ka treguar të enjten Indeksi i fundit Global i Urisë, i raportuar nga agjencia gjermane “Deutsche Welle”. Thashetheme

Gjatë dy vjetëve të fundit, pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia, ndryshimet klimatike dhe konfliktet e armatosura kanë nxitur rritje të theksueshme të numrit të njerëzve të uritur në të gjithë botën, ka treguar raporti i organizatave joqeveritare “Welthungerhilfe” dhe “Concern Worldwide”.

Studimi është publikuar jo shumë kohë pasi që Kombet e Bashkuara i shpalosën të dhëna që tregojnë se numri i njerëzve që është përballur me mungesë të ushqimit adekuat vitin e kaluar është rritur nga 320 milionë në 2.4 miliardë – shifër kjo gati sa një e treta e popullsisë së botës.

Kjo rritje është ekuivalente me atë të pesë vjetëve të mëparshëm bashkërisht.

“Mund ta shohim qartë se progresi është duke u ngadalësuar apo edhe duke u përmbysur”, ka thënë Miriam Wiemers, njëra nga autoret e indeksit, duke folur për Deutsche Wellen.

Përtej kequshqyerjes dhe disponueshmërisë së kalorive, indeksi monitoron faktorë të tjerë si cilësia e dietës, rritja e ngadalësuar në mesin e fëmijëve dhe vdekshmëria e fëmijëve.

“Këta faktorë i pasqyrojnë efektet afatgjata të urisë në shëndetin e popullatës dhe në zhvillimin fizik, mendor dhe kognitiv të fëmijëve”, ka shtuar Wiemers. Indeksi zbulon se si rreth 50 shtete në të gjithë botën janë në një situatë alarmante ose serioze, që do të thotë se uria prek një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre.

Image

Ndryshimi klimatik e rëndon urinë

Raporti A2021 i Organizatës për Ushqim dhe Agrokulturë (FAO), një agjenci kjo e OKB-së, e lidh ngrohjen globale – posaçërisht ngjarjet më të shpeshta dhe më intensive të motit, siç janë stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat – me pasigurinë e shtuar për ushqim.

“Një nga arsyet që Afrika ka nivele më të larta të urisë është për shkak të mungesës së përgatitjes për sfidat e ndryshimit klimatik”, ka thënë Joe Mzinga, zyrtar nga ESAFF-ja, rrjet fermerësh në Afrikën Jugore dhe Perëndimore. Varësia në një drithë të caktuar ndikon që popullata të jetë posaçërisht e ndjeshme ndaj ndryshimit klimatik, ka shpjeguar Mzinga për DW-në.

“Një nga sfidat më të mëdha që jemi duke u përballur është humbja e biodiversitetit dhe prirja për të shkuar te llojet specifike të drithërave, që në rastin e Afrikës Perëndimore dhe Jugore është misri. Misri ka nevojë për shumë ujë për t’u rritur, kështu që mungesa e reshjeve të shiut sjell shpejt krizë ushqimore. Me gjendjen që po vazhdon, ekziston edhe një element i paadresuar i drejtësisë klimatike. Ekzistojnë shtete që kanë tepër pak emetime të karbonit, por e bartin barrën e ndryshimit klimatik”, ka theksuar Wiemers.

Pandemia i përkeqëson sfidat ekzistuese

Prishjet dhe kufizimet në zinxhirin e furnizimit, në përpjekjen për ta frenuar përhapjen e COVID-19, njëkohësisht shkaktuan rritjen e çmimeve të konsumit dhe rënien e çmimeve të prodhimit, duke ulur sigurinë ushqimore për të varfrit urbanë dhe ruralë, raporton FAO-ja.

“Shtojini kësaj asaj edhe se si masat kundër pandemisë në shumë vende afrikane dhe aziatike sollën pa dashje humbje të ushqimit, pasi shoferët që normalisht transportonin produkte të freskëta gjatë orëve më të vona të natës nuk ishin më në gjendje ta bënin këtë”, specifikon raporti i cituar nga DW-ja.

Pandemia gjithashtu zbuloi sesi vendet me të ardhura më të larta janë njësoj të cenueshme nga rritja e çmimeve dhe mungesa e ushqimit. Sipas raporteve të qeverisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimet e mishit, shpendëve, peshkut dhe vezëve janë rritur 5.9 për qind gjatë vitit të kaluar dhe kjo rritje është 15.7 për qind më e lartë krahasuar me gushtin e 2019-s.

Për shkak të ndikimeve të vazhdueshme të pandemisë në ekonominë botërore, numri i njerëzve që vlerësohet se do të jenë të paushqyer deri në vitin 2030 do të rritet me 30 milionë, sipas raportit të FAO-s. Studimet e tjera kanë treguar se 2.6 milionë fëmijë mund të vuajnë nga kufizimi në rritje mes viteve 2020 dhe 2022 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, krahasuar me pritjet para pandemisë.

Përgatiti: Liridona Bytyçi