Lifestyle

Dietat me bazë bimore kanë përfitime të shumta shëndetësore për burrat

Tri studime të reja që i kanë vlerësuar burrat në dieta me bazë bimore, raportojnë për përfitimet kryesore shëndetësore të këtyre mënyrave të ushqyerjes. Aty përfshihen zvogëlimi i rreziqeve të zhvillimit të kancerit të prostatës, shmangia e impotencës dhe ulja e niveleve të antigjenit specifik të prostatës, që lidhet me një prostatë më të shëndetshme.

Çdo studim është publikuar në gazetën “The Journal of Urology”, e cila rishikohet dhe botohet në emër të Shoqatës Urologjike Amerikane.

Përgjatë 28 vjetëve u zhvillua studimi i Shoqatës së Modeleve Dietike me Bazë Bimore, dhe më shumë se 47 mijë burra të cilët kanë ndjekur dieta të ndryshme, janë vlerësuar në kuadër të këtij hulumtimi. Si përfundim, autorët kanë zbuluar se dietat me bazë bimore kanë ndikuar në zvogëlimin e rrezikut të prekjes nga sëmundjet fatale të kancerit. Për më tepër, burrat nën moshën 65 vjeç në dieta pa produkte shtazore ishin më pak të rrezikuar nga shfaqja e kancerit të prostatës.

Një studim i mëtejshëm i botuar në të njëjtën revistë u fokusua më hollësisht në shëndetin e prostatës. Qëllimi i këtij hulumtimi ishte të shihte se si dietat ndikojnë në nivelet e antigjenit specifik të prostatës (PSA), të cilat prodhohen në prostatë.

Dhe sipas organizatës kërkimore dhe ndërgjegjësuese për kancerin në Britani të Madhe, nivelet e ngritura të PSA-s mund të sugjerojnë probleme në prostatë.

Pra, ekspertët pohojnë se ekziston një lidhje domethënëse midis ngrënies së një diete të shëndetshme me bazë bimore, e përbërë nga ushqime të plota kryesisht me bazë bimore, dhe niveleve më të ulëta të enzimës glikoproteine e njohur me shkurtesën PSA.