Lifestyle

Evoluimi i njerëzve, më shpejt se kurrë më parë

Descriptive Text

Sjelljet e mësuara dhe të transmetuara përmes kulturës janë “mutacionet” që i japin përparësi mbijetesës. Studiuesit kanë vënë në pah se ky i ashtuquajtur evolucion kulturor, sot mund ta diktojë më shumë fatin e njerëzimit sesa përzgjedhja natyrore

Me anë të përzgjedhjes natyrore që nga fillimi i jetës, paraardhësit tanë u adaptuan, u çiftëzuan dhe vdiqën, duke ua kaluar pasardhësve mutacionet e vogla gjenetike, të cilat në fund na bënë njerëzit që jemi sot. Por një studim i ri ka zbuluar se evolucioni nuk është i lidhur vetëm me gjenet.

Përkundrazi, kultura njerëzore mund të jetë duke ndikuar që të ketë evolucionin më të shpejtë sesa mund të funksionojnë mutacionet gjenetike. Sipas këtij koncepti, evolucioni nuk kërkon më mutacione gjenetike që i japin përparësi mbijetesës.

Në vend të kësaj, sjelljet e mësuara dhe të transmetuara përmes kulturës janë “mutacionet” që i japin përparësi mbijetesës. Studiuesit kanë vënë në pah se ky i ashtuquajtur evolucion kulturor, sot mund ta diktojë më shumë fatin e njerëzimit sesa përzgjedhja natyrore.

“Kur një virus sulmon një specie, zakonisht bëhet imun ndaj këtij virusi përmes evolucionit gjenetik”, ka thënë për “Live Science” bashkautori i studimit Zak Ud, studiues në Shkollën e Biologjisë dhe Ekologjisë në Universitetin e Meinit, SHBA. Një evolucion i tillë funksionon ngadalë, pasi ata që janë më të ndjeshëm vdesin dhe vetëm ata që mbijetojnë ua kalojnë pasardhësve gjenet e tyre.

Mirëpo, aktualisht, njerëzit në përgjithësi nuk kanë nevojë që t’u përshtaten gjenetikisht kërcënimeve të tilla. Në vend të kësaj, ne përshtatemi duke krijuar vaksina dhe trajtime të tjera mjekësore, të cilat nuk janë fryt i punës së një personi, por përkundrazi i shumë njerëzve që shfrytëzojnë“ mutacionet” e akumuluara të njohurive kulturore.

Duke zhvilluar vaksinat, kultura njerëzore e përmirëson “sistemin imunitar” kolektiv, ka thënë bashkautori tjetër i studimit, Tim Uoring, profesor i asociuar i modelimit të sistemeve socio-ekologjike në Universitetin e Meinit.

Kështu që, nganjëherë evolucioni kulturor mund të çojë në një evolucion gjenetik. “Shembulli më klasik është toleranca ndaj laktozës. Pirja e qumështit të lopës filloi si një tipar kulturor, që më pas nxiti evolucionin gjenetik te një grup njerëzish”, është shprehur Uoring.

Në atë rast, ishte ndryshimi kulturor ai që i parapriu ndryshimit gjenetik dhe jo e kundërta.

Koncepti i evolucionit kulturor filloi me babanë e teorisë së evolucionit. Çarls Darvini e kuptonte që sjelljet mund të evoluonin dhe të kalonin te pasardhësit, siç janë tiparet fizike.

Por, shkencëtarët e kohës së tij besonin se ndryshimet e sjelljeve ishin të trashëguara. Për shembull, nëse një nënë do të kishte tipar që e nxiste ta mësonte të bijën se si të kërkonte ushqim, ky tipar do të trashëgohej edhe te vajza e saj.

Nga ana tjetër, vajza e saj mund të ketë më shumë gjasa të mbijetojë, kështu që ky tipar do të bëhej më i zakonshëm në popullatë. Uoring dhe Ud argumentojnë në studimin e tyre të ri, të botuar më 2 qershor në revistën “Proceedings of the Royal Society B”, se në një çast të historisë së njerëzimit, kultura filloi që ta heqë kontrollin evolucionar nga ADN-ja jonë. Prandaj, sipas tyre, ndryshimi kulturor po na lejon që të evoluojmë në mënyra të cilat nuk mund të realizoheshin nga ndryshimi biologjik.

Arsyeja është kjo: Kultura është e orientuar drejt grupeve dhe njerëzit në këto grupe flasin, mësojnë dhe e imitojnë njëri-tjetrin. Këto sjellje në grup u japin mundësi njerëzve që t’ua kalojnë të tjerëve gjërat e mësuara më shpejt përmes kulturës, sesa mund të transmetojnë përfitime të ngjashme gjenet në aspektin e mbijetesës.

Një njeri mund të mësojë aftësi dhe informata nga një numër gati i pakufizuar njerëzish brenda një kohe të shkurtër, kurse nga ana tjetër mund t’i shpërndajë ato njohuri te shumë njerëz të tjerë. Andaj, sa më shumë njerëz që janë gati të mësojnë, aq më mirë.

Grupet e mëdha i zgjidhin problemet më shpejt sesa të voglat, rrjedhimisht konkurrenca ndërmjet grupeve stimulon adaptime, të cilat mund t’ua mundësojnë grupeve te mëdha mbijetesën. Gjatë kohës që përhapen idetë, kulturat zhvillojnë tipare të reja.

Në të kundërtën, një person që trashëgon vetëm informata gjenetike prej dy prindërve, mbledh relativisht pak mutacione të rastësishme nga vezët ose spermatozoidet e tyre, të cilat kanë nevojë për 20 vjet që t’u kalojnë fëmijëve të tyre. Ky është thjesht ritëm shumë më i ngadaltë i ndryshimit.

“Kjo teori ka kohë që po dominon”, ka thënë Pol Smaldino, profesor i asociuar i shkencave njohëse dhe informacionit në Universitetin e Kalifornisë, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim. “Njerëzit janë përpjekur për një kohë të gjatë, për ta përshkruar mënyrën se si biologjia evolucionare bashkëvepron me kulturën”, ka thënë ai.

“Për një kohë afatgjatë, mendojmë se njerëzit janë duke evoluar nga organizmat individualë gjenetikë, në grupime kulturore që funksionojnë si super-organizma, të ngjashëm me kolonitë e milingonave dhe kosheret e bletëve”, ka thënë Uoring.

Por, kolonitë e bletëve i drejton gjenetika, ndërsa super-organizmi njerëzor do të ekzistojë në një kategori të veten. Se si mund të duket ky super-organizëm në një të ardhme të largët, kjo është ende e paqartë.