Lifestyle

Luftimi i frikës gjatë pandemisë

Në fjalimin e tij inaugurues të vitit 1933, presidenti amerikan Franklin Roosevelt u përpoq të siguronte vendin e zhytur në thellësitë e Depresionit të Madh, se “e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika”. Roosevelt paralajmëroi se frika do të paralizonte përpjekjet për ta ringjallur ekonominë amerikane.

Këtë javë, Joe Biden përdori qasjen e kundërt, duke na paralajmëruar se do përballemi me një dimër pandemik të gjatë dhe të errët. Sipas modeleve të epidemiologut nga Universiteti i New Yorkut, Joshua Epstein, presidenti i zgjedhur bëri gjënë e duhur.

Luftë me dy fronte

Në këtë rast, rritja në nivelin e duhur të frikës është po aq e rëndësishme për ta luftuar virusin sa edhe Task-Forca anti-COVID-19 që ai ka ngritur tashmë. Frika është një motivues i fuqishëm, thotë profesor Epstein, prandaj krijimi i një pritshmërie dhe sjelljeje menaxhuese, është absolutisht i rëndësishëm për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit.

Modelet tradicionale ekonomike bazohen në idenë se aktorët racionalë i peshojnë kostot dhe përfitimet e vendimeve të tyre, dhe optimizojnë rezultatin. Por aktorë të tillë racionalë nuk ekzistojnë në jetën reale. Në punën e tij, profesor Epshtein ofron një alternativë.

Individët në modelet e tij programohen si qenie që e ndiejnë frikën, reagojnë ndaj asaj, dhe e përhapin atë përmes rrjeteve të tyre sociale. Modelet e tij të Covid-19 tregojnë se si frika dhe virusi përhapen njëkohësisht. Që të frikësoheni, ju nuk keni pse të jeni domosdoshmërisht në kontakt me dikë që është i sëmurë.

Mjafton të lexoni në internet mbi shifrën ditore të rasteve dhe viktimave të reja. Kjo frikë mund t’i dërgojë njerëzit në vetizolim, praktikë që nga këndvështrimi i shëndetit publik është një gjë e mirë. Pa bartës të rinj, virusi nis të tërhiqet.

Efekti bumerang

Ajo që mund të jetë e dëmshme, është ndjenja e vetëkënaqësisë që tenton ta ndjekë njeriun. Kur njerëzit heqin dorë nga masat vetjake të mbrojtjes, dhe pushojnë së qeni vigjilentë në lidhje me mbajtjen e maskave, larjen e duarve dhe distancimin social – mjetet e vetme të përhapura që kemi aktualisht – fillon një valë e re infektimesh.

Dhe kjo nuk është diçka e re. Roli i frikës në përhapjen e një virusi është ajo që e nxiti dikur matematikanin francez Henry Puankare të thoshte: “Murtaja nuk ishte asgjë; frika nga murtaja ishte shumë më e frikshme!”.

Rritja ose zbehja e frikës ka të ngjarë të shpjegojë valët e infeksionit nga gripi spanjoll në vitin 1918, vëren profesor Epstein, dhe tanimë duket se historia po përsëritet. Pas rihapjes së ekonomive amerikane dhe evropiane gjatë verës, një rritje e ndjeshme e rasteve me Covid-19 ka detyruar mbylljen në një farë forme të pjesës më të madhe të Evropës, dhe rastet po rriten frikshëm edhe në SHBA.

Ka një mënyrë për ta thyer këtë cikël vigjilence dhe vetëkënaqësie. Sipas modeleve të Epshtein, frika ndihet më fort kur ndodh diçka e habitshme dhe e dhimbshme. Kur një gjarpër ju hidhet rastësisht në prehër, ju nuk ndaleni të mendoni se si mund të ndiheni ndaj tij. Bini pre e panikut dhe ngriheni instinktivisht.

Kontrollimi i pritshmërive

Kontrollimi i pritshmërive është pra një pjesë kryesore e kontrollit të frikës. Njoftimi i shpejtë i presidentit të zgjedhur të SHBA-së për një plan kundër COVID-19 synonte të ishte qetësues. Por paralajmërimi i tij mbi vështirësitë me të cilat përballemi do të provojë të jetë po aq i rëndësishëm, dhe ai duhet ta përsërisë atë.

Me gjithë shenjat shpresëdhënëse, mund të mos kemi një vaksinë edhe për shumë muaj, dhe ndërkohë dimri po afron. Kjo mund të jetë faza më e keqe e pandemisë, por nëse frika i bind njerëzit të jenë vigjilentë, dëmi mund të jetë i kufizuar.

Gjithashtu, udhëheqësit politikë duhet të menaxhojnë pritshmëritë rreth vaksinave, thotë ai. Ndërsa tregjet u entuziazmuan të hënën nga lajmet premtuese nga vaksina e “Pfizer”, politikbërësit duhet të japin një vlerësim të ekuilibruar të rreziqeve.

Nëse do të kishte raport të detajuar mbi efektet e rralla anësore të vaksinës, do të bënte bujë në media, dhe njerëzit do të shmangnin vaksinimin. Covid-19 nuk është e vetmja gjë së cilës i frikësohen njerëzit. Sipas një sondazhi të “Pew Research”, çështja më e spikatur për votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve ishte ekonomia.

Njerëzit kanë frikë nga varfëria, papunësia dhe pabarazia e shtuar. Por që të parandalojmë dhimbjet ekonomike, ne duhet ta mposhtim virusin. Kështu, ndërsa njofton më shumë plane dhe përpiqet të vendosë pritshmëri reale mbi një rimëkëmbje, presidenti i zgjedhur Biden mund të dëshirojë të rimendojë Rooseveltin: ajo nga e cila duhet të kemi më shumë frikë, është mungesa e vetë frikës.