Lifestyle

7 mënyra si të jemi të shëndetshëm gjatë valës së koronavirusit në vjeshtë

Vala vjeshtore e koronavirusit tashmë ka arritur dhe po pasohet nga një mot natyrisht më i ftohtë si dhe nga hapja e shkollave. Sezoni i gripit mund ta përkeqësojë gjendjen me pandeminë, kjo gjë është e sigurt. Pritet që gjatë muajve të ardhshëm të shtohen infektimet, numri i të shtruarve në spital dhe numri i vdekjeve, pasi edhe temperaturat ulen çdo ditë e më shumë. Por, kjo nuk do të thotë se vjeshta dhe dimri juaj duhet të jenë të rënda detyrimisht.

Më poshtë keni shtatë mënyra se si mund të jeni të shëndetshëm fizikisht dhe psikikisht dhe si t’i shijoni këta muaj të ftohtë:

Rrini me rrethin tuaj të ngushtë

Me gjasë ju ka ardhur në majë të hundës t’i dëgjoni këshillat si bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale dhe larja e duarve. Por, këto janë armët më të forta kundër koronavirusit. Megjithatë, disa amerikanë nuk po u përmbahen këtyre rregullave dhe po rrinë me miq e familjarë me të cilët nuk jetojnë. Dr. Robert Redfield, drejtues i Qendrave për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve, sugjeron që të rrini me rrethin tuaj të ngushtë gjatë vjeshtës dhe dimrit si dhe t’u shmangeni ambienteve me shumë njerëz.

Kujdesuni për shëndetin mendor

“Kjo periudhë e tmerrshme nuk do të zgjasë përgjithmonë. Mendoj se do të jemi në pozitë shumë më të mirë gjatë mesit të vitit të ardhshëm, pasi vaksinat do të jenë në dispozicion”, ka thënë Hotez, dekan i Shkollës Kombëtare për Mjekësi Tropikale në Baylor College. Por, sipas tij, gjatë këtyre muajve duhet të jemi shumë të kujdesshëm me shëndetin tonë mendor. “Gjejeni një psikolog dhe ruani numrin e tij që kur t’ju duhet ta keni. Thirrni kohë pas kohe familjarët. Është shumë normale nëse frikësoheni dhe bini në depresion. Por, jini të përgatitur”.

Gjeni se sa të rrezikuar jeni

Aplikacioni “MyCovidRisk” jua bën të mundur që ta gjeni rrezikun e infektimit bazuar në vendndodhjen tuaj, aktivitetet e planifikuara, gjatësinë kohore të aktiviteteve dhe sa për qind e njerëzve po bartin maska. Ky kalkulator, i krijuar nga “Brown-Lifespan Center for Digital Health”, gjithashtu jep sugjerime se si ta ulni rrezikun, ka thënë Dr. Megan Ranney, mjek dhe drejtor i qendrës.