Lifestyle

9.6 milionë njerëz vdesin çdo vit në botë nga kanceri, nuk është Covidi rreziku më i madh

Frika nga pandemia, ka bërë që shumë pacientë të heqin dorë nga ekzaminimet, kontrollet mjekësore rutinë të cilat ndihmojnë në parandalimin e shumë sëmundjeve.

Një nga këto kontrolle prej të cilës hoqën dorë ishte mamografia. Në fazën e parë të pandemisë së koronavirusit, shumë gra në të gjithë botën hoqën dorë nga ekzaminimi i gjirit përmes mamografisë. Sipas të dhënave zyrtare që raportohen nga shtete të ndryshme numri i pacienteve ra si në ambulanca edhe në spitale me rreth 30 për qind, kjo për shkak se gjatë mamografisë kontakti i ngushtë midis infermieres që bën ekzaminimin dhe pacientit është i pashmangshëm, transmeton Shqip.

Madje autoritetet shtetërore në Gjermani apo Angli vendosën që ekzaminimet për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve kancerogjene të mbylleshin përkohësisht, ndërkohë që pati edhe pacientë që nga frika e infektimit shtynë seancat e kimioterapisë për kancerin. Por tani duket se gjendja ka ndryshuar.

Në sallat e pritjes në spitale dhe klinika janë marrë masa për të minimizuar efektin e infektimit si dhe për respektimin e distancës fizike, dhe mjekët u rekomandojnë grave që të vazhdojnë sipas rregullit ekzaminimin e gjirit përmes mamografisë apo edhe kontrolleve të tjera. Po në Shqipëri a u përballën mjekët me një situatë të tillë?

Mjekja onkologe, Emiljana Huti tha në Top Channel se numri i personave që humbin jetën nga kanceri në botë është mjaft i lartë.

Ajo apeloi që të bëhen kontrolle të vazhdueshme, pasi zbulimi në kohë mund të shpëtojë jetën. Sipas mjekes, gjatë kësaj periudhe ka rënë fluksi i pacientëve për kontrolle rutinë, pasi ekziston frika nga Covid-19.

“Pandemia na ka lënduar të gjithëve, sidomos mendimin që ne kishim për shëndetin. Na ka bërë që ta vlerësojmë atë më shumë, si gjënë më të shtrenjtë që kemi, Por sigurisht që pandemia nuk është se zhduku sëmundjen e tjera që marrin jetë në botë, një prej të cilave është edhe kanceri.

Mjafton të themi që çdo vit, vetëm nga kanceri vdesin në botë 9.6 milionë njerëz. Nuk është se Covid-19 është shkaku kryesor i vdekjeve në botë.

Në këto kohë sikur kemi harruar sëmundjet e tjera që marrin jetë, si ato kardiovaskulare, por edhe kanceri. Në kaosin e fillimit, ku të gjithë u gjetëm në një moment kaosi, sigurisht që kishte një lloj çorientimi te të gjithë pacientët.

Ne kemi pas probleme edhe të pacientët që bënin kimioterapi, të cilët duhet të ndiqeshin. Ata e dinin që duhet të përballeshin me këtë sëmundje, por nuk mund të merrnin trajtim për frikën që kishin nga virusi.

Nuk kemi pas ato lloj numrash të pacientëve që vinin për kontrolle rutinë, ndërsa pacientët që trajtohen me kancer puna ka vijuar normalisht. Pasojat do të shihen vitin tjetër, sepse kanceri nuk është diçka që shfaqet për një ditë.

Shumë nga gratë duke qenë së kanë qenë të frikësuara për jetën, kanë ardhur edhe në periudhën e vështirë ku ishim mbyllur”, tha mjekja.