Lifestyle

Njerëzit po flenë më gjatë dhe më keq gjatë karantinës

Është e vërtetë se njerëzit po flenë më shumë gjatë karantinës, por gjumin e natës po e bëjnë më keq për shkak të ndryshimit të rutinës dhe brengave të përgjithshme.

Sipas një studimi të fundit u zbulua se të rriturit në jetën para pandemisë së koronavirusit, flinin 6 orë e 43 minuta në ditë. Por, pas pezullimit të aktiviteteve dhe obligimeve të mëngjesit, siç është rruga për në punë apo dërgimi i fëmijëve në shkollë, tani njerëzit po kanë mundësi të flenë më gjatë, transmeton Koha..

Dhe pavarësisht kësaj, pothuajse një prej katër personave të intervistuar e ka pranuar se kualiteti i gjumit të tyre është më i keq se kurrë, kjo pasi po përjetojnë shqetësime dhe e kanë vështirë të adaptohen me ndryshimet në rutinën ditore.

Nga 2.000 personat e intervistuar për këtë studio është zbuluar se ngrënia e ushqimit dhe gjësendeve tjera në orët e vona, po ashtu po ju shkakton atyre të kenë gjumë të shqetësuar.

Një në pesë përgjigje kanë treguar se para se të flenë i shikojnë lajmet, që do të thotë nuk kanë mundur të bëjnë gjumë të qetë si zakonisht, derisa gjysma tjetër e tyre po kanë vështirësi të adaptohen me orarin e ri.

Udhëheqja e këtij hulumtimi, Cheryl Calverley, ka deklaruar: “Rutina e ka një ndikim të madh në mënyrën se si flemë. Jo vetëm në gjatësinë e gjumit por edhe kualitetin e tij. Thjeshtë, të flesh dhe të zgjohesh në të njëjtën kohë çdo ditë, mund të ketë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si ndihemi në mëngjes, duke na e bërë më të lehtë të ballafaqohemi me ankthin dhe stresin e pasigurive me të cilat po përballemi në këtë periudhë.”

Sipas studimit, 27 për qind e të intervistuarve po kalonin kohë të gjatë në aparatet teknologjike para gjumit, çka po iu shkakton të flenë më keq gjatë natës.

Afërsisht një në dhjetë persona po bënin ushtrime fizike më vonë se zakonisht, derisa 48 për qind po vuajnë nga pagjumësia shkaku i brengave rreth koronavirusit.

Edhe pse shumica prej këtyre personave kanë deklaruar se po zgjohen të freskët dhe energjik, 27 për qind e tyre deklaruan se po ndihen të përgjumur dhe të lodhur pas gjumit të natës.

Qëllimi i hulumtimit të kryer nga “OnePoll”, ka për qëllim të zbulojë nëse ndryshimet që i ka sjellë karantina në rutinën e gjumit të njerëzve, po ndikon në jetën e tyre për të mirë apo për të keq.

Disa prej të intervistuarve kanë deklaruar se vetizolimi me familjet e tyre u ka sjellë dobi në jetën e përditshme. Ata po gatuajnë më shumë, po bëjnë vazhdimisht ushtrime fizike, çka po u mundëson të flenë më gjatë dhe më mirë.

Disa të tjerë si përfitim të karantinës e konsiderojnë faktin se kanë më shumë kohë të merren me veten, dhe të kalojnë kohë me familjet e tyre.

Rutina e re e karantinës ka ndikuar edhe te fëmijët, të cilët kanë filluar të qëndrojnë më gjatë të zgjuar gjatë natës.

Por në përgjithësi, sa i përket pasojave të përgjithshme të karantinës, njerëzit brengosen se pas pandemisë, do ta kenë të vështirë t’i kthehen rutinës së përditshme dhe jetës normale.