Ndotja e ajrit nga dyoksidi i nitrogjenit ka rënë për afërsisht 40 për qind në tri qytete evropiane, kanë treguar të premten të dhënat e reja satelitore të publikuara nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), në atë që koincidon nga masat mbarëbotërore të mbylljes për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Sateliti “Copernicus Sentinel-5P” i kësaj agjencie ka publikuar tri pamje, të cilat shpërfaqin përqendrimin e dyoksid nitrogjenit në periudhën midis 14 dhe 25 marsit në Francë, Spanjë dhe Itali, e të cilat krahasohen më pas me mesataren mujore të përqendrimit të këtij gazi në vitin 2019.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo është përllogaritje e nivelit të parë; disa prej këtyre vlerave janë ulur për rreth 40 për qind të vlerës normale... që konsiderohet një rënie tejet drastike”, ka thënë Josef Aschbacher, drejtor i ESA-së për Programet e Observimit të Tokës.
Ekspertët që e studiojnë ndikimin e lirimit të gazeve nga industria dhe transporti në ndryshimet klimatike dhe shëndetin njerëzor po përpiqen që ta kuptojnë ndikimin e mundshëm të pandemisë së koronavirusit, teksa ekonomia po ngadalësohet, fluturimet po pezullohen dhe po zbatohen karantina.
“Ajo që njëmend jeni duke parë këtu janë qendrat e kësaj ndotjeje... Është ky një indikator bukur i mirë i nivelit të parë të rënies së shkallës së ndotjes që gjenerohet prej trafikut dhe industrive”, ka shtuar Aschbacher.
Dyoksidi i nitrogjenit, një gaz ky helmues që lirohet prej veturave, centraleve energjetike dhe fabrikave, fajësohet për disa prej problemeve respiratore dhe të zemrës te njerëzit.
Pothuajse çdo qytet i madh evropian i ekspozohet shkallës së lartë të ndotjes, që e kalon çdo nivel të lejueshëm, kanë treguar të dhënat e një raporti të vitit 2019 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).
Ulje të theksuar ka pasur veçanërisht në Paris dhe Madrid. Vendet e tjera të Evropës Veriore janë po ashtu duke u monitoruar nga afër, përfshirë në këtë mes Holandën dhe Britaninë e Madhe.
Masat e reja të zbatuara gjatë kësaj jave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë prodhuar ulje të përqendrimit të dyoksid nitrogjenit edhe në Britani.
Matjet janë bërë me “Sentinel-5P”, që është pjesë e satelitit “Copernicus”, i cili menaxhohet nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. I ndërtuar nga “Airbus” në Britani, “S5P” është lancuar në tetor të 2017-s dhe e bart vetëm një instrument - Tropomi.
Ky është një spektrometër që vëzhgon rrezet e reflektuara të Diellit nga Toka, duke i analizuar përmes ngjyrave të ndryshme.
Duke e bërë një gjë të tillë, mund ta detektojë praninë në atmosferë të një mori gazeve, si dyoksidi i nitrogjenit, ozoni, formaldehidi, sulfur dyoksidi, metani, monoksidi i karbonit dhe aerosoli.
Shkencëtarët tani do t’i kombinojnë të dhënat e S5P-së me një mori modelesh atmosferike dhe transportuese për t’i kuptuar plotësisht observimet.