Lifestyle

Ç'është Skolioza dhe si duhet trajtuar

Ndërlikimet që prekin shtyllën kurrizore janë të shumta. Një prej tyre është edhe sëmundja që ndryshe njihet si “Skolioza”, shfaqja e të cilës nis e bëhet e dukshme që në fëmijëri.

Sipas statistikave vajzat rezultojnë të jenë më të rrezikuarat nga kjo patologji. Forma të caktuara të sëmundjes hasen edhe tek moshat e treta. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit se cilat janë format më të shpeshta të kësaj sëmundjeje, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të merren për mbajtjen e saj nën kontroll. Për format më të rënda të sëmundjes bëhet e nevojshme ndërhyrja e kirurgjisë. Rol kycc në lehtësimin e simptomave të kësaj sëmundjeje luan aktiviteti fizik i rekomanduar nga mjeku specialist, ushtrimi i notit, si dhe mbajtja nën monitorim e peshës.

Çfarë është skolioza?

Me skoliozë kuptojmë një deformim të kurbës normale që formon shtylla kurrizore (kolona vertebrale). Shtylla vertebrale është një strukturë komplekse që ka për funksion të mbajë peshën e trupit tonë, të sigurojë stabilitetin dhe lëvizshmërinë e tij. Ajo përbëhet nga 33 vertebra, që vendosen njëra mbi tjetrën dhe brenda të cilave formohet një kanal, ku kalon palca e kurrizit. Pra shtylla kurrizore luan edhe funksionin mbrojtës të palcës kurrizore, e cila përfundon në kokë me trurin. E parë në drejtim anësor (lateral) kolona vertebrale ka dy përkulje normale (harkime) që i japin asaj formën e shkronjës “S”. Njëra nga përkuljet përkon me vertebrat e kraharorit (pjesa torakale) dhe përkulja tjetër përkon me vertebrat lumbo-sakrale (fundi i belit dhe fillimi i kërbishtit). Pikërisht këto harkime natyrale sigurojnë shpërndarjen e duhur të peshës trupore dhe lëvizshmërinë e trupit tonë. E parë në drejtim postero-anterior (nga prapa-përpara) shtylla kurrizore normalisht duhet të duket e drejtë. Në rastin e skoliozës ajo nuk duket e drejtë, por merr formën e germës “C” ose “S”, pra zhvillohen kthesa shtesë në të dyja anët e trupit. Pra është një lakim anësor jo normal i shtyllës kurrizore që përfshin edhe rrotullime jo normale të vertebrave njëra mbi tjetrën. Si pasojë e këtyre rrotullimeve mund të kemi edhe zhvendosje të shpatullave, ku njëra qëndron më lart se tjetra, ose edhe deformime të kafazit të kraharorit.

Sa e shpeshtë është kjo patologji dhe cilat kategori rrezikojnë më shumë prej saj?

Skolioza mund të jetë e butë (ku devijimi shkon 10 deri 20 gradë), e moderuar (ku devijimi shkon 20-50 gradë) dhe e formës së rëndë (ku devijacioni shkon më tepër se 50 gradë). Skolioza sipas statistikave është rreth dy herë më e shpeshtë tek vajzat, se sa tek djemtë. Ajo mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është të shfaqet rreth moshës 10 vjeç dhe ka predispozitë familjare. Pra njerëzit e prekur nga skolioza kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë me një deformim të tillë, megjithatë sipas studimeve nuk ka një korrelacion (lidhje) të qartë midis ashpërsisë së lakimeve (kthesave) nga njëri brez në tjetrin.

Cilët janë shkaktarët kryesor të këtij deformimi të shtyllës kurrizore?

Në shumicën e rasteve, shkaku i skoliozës mbetet i panjohur (skolioza idiopatike). Më shumë së 80 për qind e skoliozave konsiderohen si idiopatike, pra që nuk u dihet shkaku dhe prekin më tepër vajzat adoleshente në zonën e kraharorit (pjesa torakale e kolonës vertebrale). Skolioza mund të jetë e tipit funksional, kur shpina është në formën e saj normale, por deformohet si pasojë e një problemi tjetër. Kjo mund të shkaktohet për shembull, nëse një këmbë është më e shkurtër se tjetra, duke mbajtur ngarkesa të rënda, ose si rezultat i kontraksioneve (spazmave) të muskujve të shpinës. Skolioza mund të jetë edhe e formës neuromuskulare. Në këtë rast, kockat e shtyllës kurrizore (vertebrat) nuk arrijnë të kenë formimin e duhur kockor, ose nuk arrijnë të ndahen plotësisht nga njëra-tjetra gjatë zhvillimit të fetusit (pra para lindjes, në barkun e nënës). Kjo quhet formë kongjenitale (e lindur) dhe zhvillohet tek njerëzit që kanë edhe çrregullime të tjera, duke përfshirë defektet e lindjes, distrofinë muskulare, paralizën cerebrale, ose sindromën Marfon (një sëmundje e trashëguar e indit lidhor). Këta individë zhvillojnë shpesh një kurbë të gjatë në formën e germës C dhe kanë muskuj të dobët. Ky lloj i skoliozës shpesh është i formës së rëndë.

Po forma tjetër e skoliozës tek cila grupmoshë shfaqet më shpesh?

Forma tjetër e skoliozës është ajo degjenerative. Ndryshe nga format e tjera të skoliozës, të cilat gjenden tek fëmijët dhe adoleshentët, skolioza degjenerative ndodh tek të rriturit dhe të moshuarit. Ajo shkaktohet nga ndryshimet e shpinës si rezultat i artritit ose spondiloartrozës. Kjo shoqërohet edhe me dobësimin e muskujve përreth, ligamenteve dhe indeve të buta. Kjo e thellon edhe më tepër deformimin e shtyllës kurrizore. Shpina mund të preket gjithashtu edhe nga osteoporoza, thyerjet vertebrale, degjenerimi i disqeve amortizues që ndodhen midis vertebrave ,tumore të ndryshme që zhvillohen në shtyllën kurrizore.

Cilat janë simptomat e zakonshme të skoliozës?

Simptoma më e zakonshme e skoliozës është kurba anormale e shpinës. Shpesh ky është një ndryshim i butë dhe mund të vërehet së pari nga një pjesëtar i familjes, ose gjatë vizitës rutinë që bën mjeku i familjes për fëmijët e shkollës, ose edhe mësuesit e sportit. Ndryshimet e lakimit të shpinës zakonisht ndodhin shumë ngadalë, prandaj është shumë e lehtë të anashkalohen derisa vërtet të paraqiten në formën e tyre të avancuar. Të prekurit mund të vërejnë gjithashtu se rrobat e tyre nuk rrinë më si më parë, por mund të varen në njërën anë të shpatullës.

Po në stadet e avancuara me ccfarë shenjash klinike kemi të bëjmë?

Nëse skolioza është e avancuar mund të kemi deformim të kafazit të kraharorit dhe për pasojë mund të cenojë funksionimin normal të zemrës dhe të mushkërive. Kjo mund të shkaktojë klinikisht dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes. Në shumicën e rasteve, skolioza nuk është e dhimbshme, por ka edhe disa forma të skoliozës që mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë, të brinjëve, të qafës apo edhe dhimbje barku. Këto dhimbje jospecifike mund të kenë shumë shkaqe prandaj diagnoza diferenciale në këto raste merr një rëndësi të veçantë.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundjeje?

Përveç një ekzaminimi fizik të kujdesshëm nga ana e mjekut, ekzaminimet radiologjike (imazherike) konfirmojnë diagnozën e duhur të kësaj sëmundjeje. Skolioza duhet të mbahet në mbikëqyrje të vazhdueshme për të mos lejuar avancimin e saj në formë të rëndë, e cila shton ndërlikimet edhe më shumë.

Si trajtohet skolioza?

Për arsye se rreth 80 për qind e rasteve me skoliozë nuk kanë ndonjë shkak të njohur edhe trajtimi mbetet i vështirë. Në rastin e shkaktarëve të njohur, terapia bazohet së pari në trajtimin e tyre. Megjithatë, ushtrimet fizike dhe fizioterapia e drejtuar nga mjekët specialistë luan rol kyç në trajtimin e këtij deformimi. Sporti i notit është mjaft i rekomandueshëm pasi luan rol të rëndësishëm në forcimin e muskulaturës, lëvizshmërinë e artikulacioneve dhe në funksionimin e organeve të frymëmarrjes. Në rastet e rënda dhe të avancuara është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale. Për obezët (njerëzit mbi peshë) rekomandohet rënia në peshë për të reduktuar forcën e ushtruar mbi shtyllën kurrizore. E rëndësishme është që aktiviteti fizik duhet të rekomandohet nga mjekët specialistë.

Skolioza sipas statistikave është rreth dy herë më e shpeshtë tek vajzat, se sa tek djemtë. Ajo mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është të shfaqet rreth moshës 10 vjeç dhe ka predispozitë familjare. Pra njerëzit e prekur nga skolioza kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë me një deformim të tillë, megjithatë sipas studimeve nuk ka një korrelacion (lidhje) të qartë midis ashpërsisë së lakimeve (kthesave) nga njëri brez në tjetrin.

Ndryshe nga format e tjera të skoliozës, të cilat gjenden tek fëmijët dhe adoleshentët, skolioza degjenerative ndodh tek të rriturit dhe të moshuarit. Ajo shkaktohet nga ndryshimet e shpinës si rezultat i artritit ose spondiloartrozës. Kjo shoqërohet edhe me dobësimin e muskujve përreth, ligamenteve dhe indeve të buta. Kjo e thellon edhe më tepër deformimin e shtyllës kurrizore.

Nëse skolioza është e avancuar mund të kemi deformim të kafazit të kraharorit dhe për pasojë mund të cenojë funksionimin normal të zemrës dhe të mushkërive. Kjo mund të shkaktojë klinikisht dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes. Në shumicën e rasteve, skolioza nuk është e dhimbshme, por ka edhe disa forma të skoliozës që mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë, të brinjëve, të qafës apo edhe dhimbje barku.

Megjithatë, ushtrimet fizike dhe fizioterapia e drejtuar nga mjekët specialistë luan rol kyç në trajtimin e këtij deformimi. Sporti i notit është mjaft i rekomandueshëm pasi luan rol të rëndësishëm në forcimin e muskulaturës, lëvizshmërinë e artikulacioneve dhe në funksionimin e organeve të frymëmarrjes. Në rastet e rënda dhe të avancuara është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale. Për obezët (njerëzit mbi peshë) rekomandohet rënia në peshë për të reduktuar forcën e ushtruar mbi shtyllën kurrizore. E rëndësishme është që aktiviteti fizik duhet të rekomandohet nga mjekët specialistë.