Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Xhaketa e astronautit amerikan që shkoi në Hënë shitet për 2.8 milionë dollarë

Xhaketa e veshur nga astronauti amerikan Buzz Aldrin gjatë udhëtimit të tij në Hënë u shit në ankand për 2.8 milionë dollarë, shkruan BBC të mërkurën.

Xhaketa e bardhë e Aldrinit ka në të edhe flamurin amerikan dhe logon e agjencisë amerikane të hapësirës NASA dhe e ka veshur gjatë misionit Apollo 11 teksa fluturonte në modulin komandues Columbia.

Kjo është një nga 60 sendet personale që 92-vjeçari Aldrin vendosi t’i shiste dhe u shit përmes shtëpisë së ankandeve Sotheby. Xhaketa është bërë objekti më i vlefshëm hapësinor amerikan në histori.

Ish-astronauti udhëtoi në Hënë në vitin 1969 dhe është i vetmi anëtar i gjallë i ekuipazhit prej tre personash. Aldrini e kaloi pjesën më të madhe të udhëtimit të tij gjashtë-ditor në hapësirë ​​i veshur me xhaketën e lartpërmendur dhe ndryshoi vetëm kur iu desh të vishte një kostum të veçantë për të shkuar në sipërfaqen hënore. Rreth 650 milionë njerëz në mbarë botën e panë atë moment.

Xhaketa është bërë nga një material rezistent ndaj zjarrit. Është e vetmja veshje nga misioni që është shitur ndonjëherë. Pronari i ri është një blerës që ofroi 2.8 milionë dollarë përmes telefonit.

Vlera totale e artikujve të shitur nga koleksioni personal i Aldrinit është 8.2 milionë dollarë.