E gërvishtur, e njollosur dhe me shenja përdorimi, çantë e zezë prej lëkure, e njohur si Birkini origjinal, është shitur për 10 milionë dollarë në një ankand në Paris, duke u bërë çanta më e shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në histori, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Çanta, e krijuar posaçërisht nga vet Hermès për aktoren dhe këngëtaren britanike Jane Birkin, u shit të enjten në një ankand online të organizuar nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”, ku u përfshinë edhe vepra të tjera të modës nga brendet luksoze si “Alexander McQueen” dhe “Christian Dior”.
Çmimi përfundimtar arriti në 8.6 milionë euro me taksa, ndërsa oferta fituese ishte 7 milionë euro. Pas një beteje prej 10 minutash mes nëntë koleksionistëve, çanta u fitua nga një koleksionist privat nga Japonia, sipas një njoftimi për media nga “Sotheby’s”.
Morgane Halimi, drejtoreshë globale për çanta dhe aksesorë në “Sotheby’s”, në deklaratën për shtyp ka thënë se ky është moment historik për modën.
“Ky shitje është një moment historik për modën dhe luksin. Është një demonstrim i fuqishëm i legjendës dhe mënyrës se si ajo ndez pasionin e koleksionistëve për objekte me prejardhje unike”, ka thënë Halimi.

Ajo shtoi se shitja e Birkinit origjinal është, në fund të fundit, një festim i shpirtit të paharrueshëm dhe ndikimit të muzës së tij, Jane Birkin.
Kjo çantë nuk është më luksoze se modelet e tjera, përkundrazi, është e përdorur dhe me shenja të qarta të përdorimit. Por pikërisht kjo e bën të pazëvendësueshme: është çanta e parë Birkin e krijuar ndonjëherë, të cilën vet Jane Birkin e përdori përditë nga viti 1985 deri në 1994, para se ta shiste për të mbledhur fonde për studimet kundër sëmundjes HIV/AIDS.

Ajo ka pasur disa pronarë privatë, por është ekspozuar edhe publikisht, si në “Museum of Modern Art” në New York dhe “Victoria & Albert Museum” në Londër. Hera e fundit që doli në ankand ishte para 25 vjetësh, nga një shitëse e njohur si Catherine B.
“Kjo shitje më rikujtoi betejën time në ankand dhe atë ndjenjë të papërshkrueshme që përjetova kur fitova këtë çantë të mrekullueshme”, pati thënë Catherine.
Historia e krijimit të çantës
Historia e çantës është po aq legjendare sa vetë emri Birkin. Në vitin 1984, ish-kryetari i brendit “Hermès”, Jean-Louis Dumas, u ul pranë Jane Birkin në një fluturim nga Parisi për në Londër. Birkin i tregoi se nuk gjente një çantë mjaftueshëm të madhe për të gjitha nevojat që kishte si nënë, dhe kishte filluar të mbante një shportë të thurur, e cila gjatë fluturimit ra mbi Dumas.
“Ai më tha: ‘Atëherë vizatoje,’ dhe unë e vizatova mbi një nga ato qeset që janë për të vjellë në avion”, ka treguar Birkin në një intervistë me Christiane Amanpour në vitin 2020.

“Hermès” ia dorëzoi çantën në vitin 1985 dhe gjatë jetës i dhuroi edhe katër të tjera. Birkin merrte kompensim nga përdorimi i emrit, por i dhuronte çdo vit për bamirësi.
Çanta origjinale ka detaje unike që nuk u përsëritën në modelet pasardhëse, përfshirë përmasat, rripat metalikë, strukturën dhe mbishkrimin me inicialet “J.B.” në pjesën e përparme. Në një detaj të pazakontë, çanta ka të varura gërshërë të vogla për thonj, sepse Birkin pëlqente t’i mbante gjithmonë thonjtë e shkurtuar, sipas “Sotheby’s”. Ajo gjithashtu mban shenja ngjitësesh (sticker) të organizatave humanitare si “Médecins du Monde” dhe “UNICEF”.
Çanta origjinale u krijua fillimisht si aksesor praktik.
“Është e pabesueshme të mendosh se një çantë që u krijua nga “Hermès” si diçka praktike për Jane Birkin, është kthyer në çantën më të dëshiruar në histori, dhe me gjasë do të mbetet e tillë edhe për shumë vite”, ka thënë Halimi.
Jane Birkin ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 76-vjeçare. Në një intervistë të mëhershme, ajo kishte parashikuar me ironi se njerëzit do ta kujtonin vetëm për çantën.
“Zoti më faltë, kur të vdes… (njerëzit) ndoshta do të flasin vetëm për çantën”, pati thënë ajo.
Lexo edhe:
Çka e bënte aktoren dhe këngëtaren, Jane Birkinin kaq speciale - KOHA.net
Vdiq këngëtarja dhe aktorja Jane Birkin - KOHA.net