Njihuni me Persephonen, robotin që ua tregon vizitorëve mrekullitë e shpellës Alistrati, rreth 135 kilometra në verilindje të Selanikut.
Këtë emër Persephone e mori sipas vajzës së perëndisë greke Zeus.
Sipas legjendës, Persefoni po mblidhte lule në një fushë pranë shpellës, kur Plutoni, perëndia e nëntokës, hapi tokën dhe e rrëmbeu. Plutoni - i njohur edhe si Hadesi - rrëmbeu Persefonin pasi Zeusi i dha leje që t’ia merrte vajzën për grua.
Roboti Persephone ka ftuar njerëz në këtë nëntokë që nga mesi i korrikut. Me mbërritjen e tyre në shpellë, roboti nis e prezantohet para tyre.
“Emri im është Persefoni, jam vajza e perëndeshës Demetra dhe gruaja e Plutonit, perëndisë së nëntokës. Ju mirëpres në mbretërinë time nëntokësore, shpellën e Alistratit”.
Edhe
Vizitorët në një shpellë të Greqisë drejtohen nga ciceroni i metaltë
Makina shumëgjuhëshe që e përdor inteligjencën artificiale i mbulon 150 metrat e parë të seksionit të hapur për publikun, duke i dorëzuar më pas te një ciceron prej mishi e gjaku, për rrugëtimin e mbetur prej 750 metrash.
Vizitori çek, Patrick Markes, është shprehur i habitur me risinë e papritur.
“Ishte befasi e madhe. Nuk prisja diçka të tillë. Në fakt, parapëlqej që ciceroni të jetë njeri, mirëpo me robot ka qenë vërtetë përvojë interesante dhe më ka pëlqyer. Ecën më ngadalë, andaj edhe mund ta vështrojë vendin më shumë, pra është mirë”, ka thënë ai.
Turneu me robot mund të realizohet në 33 gjuhë të ndryshme dhe ciceroni prej metali mund të ndërveprojë me vizitorët edhe me njohuritë bazike në tri gjuhë të tjera.
Ai mund gjithashtu t’u përgjigjet 33 pyetjeve, por vetëm në greqishte.
Edhe
Brenda botës së Kleopatrës si një udhëtim midis kohës dhe teknologjisë
Nikos Kartalis, drejtori i sektorit për shkencë i rrjetit Alistrati, thotë se i lindi ideja për krijimin e një roboti, kur e pa në televizor një të tillë që i drejtonte vizitorët në një galeri.
Roboti u ndërtua nga Fondacioni Kombëtar i Teknologjisë dhe Kërkimit, dhe kushtoi 118 mijë euro.
Para vizitorëve, Kartalis demonstron se çfarë krejt është në gjendje që të bëjë Persephone.
“Ky robot ka karakteristika të veçanta, ngase është në gjendje që t’i udhëzojë vizitorët në 33 gjuhë dhe mund të flasë në tri gjuhë të ndryshme në të njëjtën kohë. Është në gjendje t'u përgjigjet pyetjeve të vizitorëve. Kalon nëpër 150 metrat e para të shpellës, kështu bën tri ndalesa dhe për pjesën tjetër të vizitës në shpellë, vizitorët udhëhiqen nga një ciceron njeri”.
Roboti lëviz përgjatë një vendkalimi, duke kaluar nëpër një peizazh të zbukuruar të stalaktiteve, stalagmiteve dhe hekcendritëve, që janë lloj i rrallë i stalaktitit që rriten në çdo drejtim dhe jo vetëm teposhtë.
Edhe
Kafka misterioze mbi 280 mijë vjeçare zbardh “njeriun e panjohur”
Planet e ardhshme për shpellën tani përfshijnë krijimin e një muzeu të realitetit virtual, që do t’i shpërfaqë hollësitë për historinë e shpellës dhe lidhjet mitologjike.
Në plan gjithashtu është që një pjesë e shpellës të përdoret për t’u dhënë studentëve mësime për robotikën.