Kuriozitet

Televizioni gjerman angazhon prezantuesen ukrainase

Transmetuesi gjerman RTL ka punësuar prezantuese ukrainase për emisionin ditor të lajmeve që do të transmetohet për të gjithë refugjatët ukrainas.

RTL ka bërë të ditur se Kaorlina Ashion do të prezantojë programin e lajmeve prej dhjetë minutash në gjuhën ukrainase me qëllim që 200 mijë refugjatët ukrainas në Gjermani të dëgjojnë informacionet për pushtimin e Ukrainës.

“Jam gati ta bëj më të mirën, në lidhje me informacionet dhe ndoshta edhe me komunikimin në njëfarë mase”, tha prezantuesja ukrainase.

Ashion ka arritur në Gjermani një javë më parë. Udhëtimi i saj ishte i vështirë. Nga Kievi ka ikur drejt Moldavisë pastaj në Rumani.

“Dua të jem zëri për refugjatët ukrainas”, tha Ashion.

Kolegët e saj, të cilët nuk kanë mundur të largoheshin nga Ukraina, janë duke punuar nga një bodrum.

“Jeta ime ka ndryshuar. Por jam ukrainase dhe dua të jem zëri i lirisë për njerëzit. Për të gjithë ata që po vuajnë nga lufta”, tha ajo.

RTL-i po planifikon që ta zgjerojë edicionin për zhvillimet rreth Ukrainës, duke punësuar edhe më shumë gazetarë ukrainas.