Me dy vathë diamanti në veshët e tij, Vinicius Jose Paixao de Oliveira Junior del nga dera e vilës së tij të cilën e quan shtëpi, pas një dite plot stërvitje me Real Madridin.
Brenda pak minutave, ai dhe dy shokët e tij të ngushtë nga Brazili nisin të luajnë videolojën FIFA në dhomën e ndenjës për të nisur ritualin ditor: një seancë maratonike që duket se ndalet vetëm kur është vakti për të ngrënë.
"Çfarë goli me kokë", thotë me zë të madh një nga shokët e tij, ndërsa versioni i digjitalizuar i Viniciusit në këtë videolojë kërcen lart dhe shënon me kokë për të mposhtur portierin kundërshtar.
Vinicius Jr 19-vjeçar ngrihet nga tavolina e masazhit për të parë aksionin në televizorin 65 inç, e më pas kthen sytë nga celulari i tij, derisa fizioterapeuti personal po vazhdon të punojë në këmbët e tij, shkruan NYT, përcjell sot Koha Ditore.
Villa, në një nga lagjet më ekskluzive në Madrid, ka atmosferën e një parajse për një tinejxher. Pos televizorit gjigant, ka edhe skuter elektrik, po ashtu një ulëse të shoferit për një videolojë me motor dhe po ashtu ka tavolina pingpongu dhe bilardoje. Këto pajisje janë për të shpërqendruar po aq sa janë për të argëtuar: statusi i Viniciusit si ylli i ardhshëm i madh i Real Madridit nënkupton se ai rrallë del në publik tashmë. Ka rregulla strikte edhe për shoqërinë e tij. Nuk ka dalje natën kur Vinicius është në shtëpi.
"Nuk është fer nëse dalim jashtë dhe ai të qëndrojë brenda. Ne e dimë se jemi këtu që ai të ketë sukses", ka thënë Luiz Felipe Menegate, njëri nga shokët e tij.
Edhe
Viniciusi i lumtur që po e ndihmon Brazilin në Botëror
"Si gjithmonë", thotë Vinicius me buzëqeshje në fytyrë.
Në disa mënyra, ai ka të drejtë. Edhe po të mos ishte një prej talenteve më të vlerësuara në futboll, Vinicius Jr. prapë do të kalonte ditët e tij duke folur për futboll në shoqërinë e Menegates dhe shokut tjetër të fëmijërisë, Wesley Menezes, apo duke ngrënë fasule të zeza ose oriz të përgatitur nga halla e tij e dashur. Por, në mënyra të tjera - jo vetëm vila e mbushur me lodra, por edhe paga e tij multi-milionë dollarëshe dhe pritjet për të qenë një nga tinejxherët më të vlerësuar në botë - Vinicius Junior tash është në një botë krejt të re.
Në prill, ai dhe ekipi i tij ftuan "The New York Timesin" në atë botë, duke ofruar pamje të kujdesit dhe planifikimit dhe po ashtu komoditetit që mund të ndihmojë një lojtar të ri të talentuar të kalojë nga të qenit një shpresë në një profesionist.(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)