Kuriozitet

Rrethoja elektrike e “distancës fizike”

Pronari i një kafeneje në Cornwall ka rrethuar me një tel special lokalin e tij për t’i nxitur myshterinjtë që ta mbajnë distancën e nevojshme fizike për luftimin e koronavirusit.

Fjala është për rrethojë elektrike, vendosur përreth banakut, ku klientët e Jonny McFaddenit mblidhen për të porositur pije.

Që prej rihapjes së lokalit, pas mbylljes për shkak të pandemisë, McFaddeni në kafenenë e tij “Star Inn” ka hapur vetëm një hapësirë të kufizuar dhe madje për shërbimin e pijeve e jo edhe të ushqimeve.

Ndërkaq rrethojën e vendosur ai e përshkroi vetëm si një “mburojë të thjeshtë elektrike”.

E kur pyetet nëse është përnjëmend i lidhur në rrymë, McFadden thotë shkurt: “Ejani dhe zbulojeni vetë – funksionon goxha faktori i frikës”.

Meqë me masa të tjera nuk ka pasur sukses, McFaddeni ka thënë se rrethoja e ka bërë të veten dhe njerëzit kanë nisur që ta respektojnë masën e distancës.

Por veprimi nuk ka shqetësuar aspak myshterinjtë e tij. Madje është bërë shkas që ata të shpërthejnë në të qeshura sa herë që diskutojnë rreth tij.