(AP) – Shkencëtarët skandinavë kanë bërë të ditur se kanë identifikuar mbishkrimin më të vjetër të njohur që i referohet perëndisë norvegjeze, Odin, në një pjesë të një disku prej ari të zbuluar në Danimarkën perëndimore në vitin 2020.
Lisbeth Imer, runologe me Muzeun Kombëtar në Kopenhagë, ka theksuar se mbishkrimi përfaqësonte dëshminë e parë të fortë të Odinit, i cili adhurohej që në shekullin e 5-të – të paktën 150 vjet më parë se referenca e mëparshme më e vjetër e njohur, e cila ishte në një karficë të gjetur në Gjermania jugore dhe daton në gjysmën e dytë të shekullit të 6-të.
Disku i zbuluar në Danimarkë ishte pjesë e një grumbulli gjësendesh që përmbante rreth një kilogram ari, duke përfshirë medaljone të mëdha në madhësinë e pjatave dhe monedha romake të bëra në bizhuteri. Ai u zbulua në fshatin Vindelev, Jutland qendrore, dhe u quajt The Vindelev Hoard.
Ekspertët mendojnë se koleksioni me gjësende ishte varrosur 1500 vjet më parë ose për ta fshehur atë nga armiqtë ose si një haraç për t’i qetësuar perënditë. Një qafore e artë - një lloj varëseje e hollë, zbukuruese - mbante një mbishkrim që lexonte, “Ai është njeriu i Odinit”, me gjasë duke iu referuar një mbreti ose lordi i panjohur.
“Është një nga mbishkrimet runike të ekzekutuara më së miri që kam parë ndonjëherë”, ka thënë Imer. Runet janë simbole që fiset e hershme në Evropën veriore i komunikonin me shkrim.
Edhe
Arkeologët nxjerrin në pah 300 monedha të vikingëve
Odin ishte një nga perënditë kryesore në mitologjinë norvegjeze dhe shpesh lidhej me luftën, si dhe me poezinë.
Më shumë se 1 mijë brakteate janë gjetur në Evropën veriore, sipas Muzeut Kombëtar në Kopenhagë, në ekspozitën e vitit 2020.
Krister Vasshus, specialist i gjuhës së lashtë, ka sqaruar se për shkak se mbishkrimet runike janë të rralla, “çdo mbishkrim runik është shumë i rëndësishëm për mënyrën se si ne e kuptojmë të kaluarën”.
“Kur shfaqet një mbishkrim me këtë gjatësi, kjo në vetvete është e mahnitshme”, ka theksuar Vasshus. “Ai na jep disa informacione mjaft interesante rreth fesë në të kaluarën, e cila gjithashtu na tregon diçka për shoqërinë në të kaluarën”.
Gjatë epokës së vikingëve, që konsiderohet të jetë nga viti 793 deri në vitin 1066, skandinavët e njohur si vikingët, ndërmorën bastisje në shkallë të gjerë, kolonizim, pushtim dhe tregti në të gjithë Evropën. Ata gjithashtu arritën në Amerikën e Veriut.
Norsemenët adhuronin shumë perëndi dhe secila prej tyre kishte karakteristika, dobësi dhe atribute të ndryshme. Bazuar në sagat dhe disa gurë rune, janë shfaqur detaje se perënditë zotëronin shumë tipare njerëzore dhe mund të silleshin si njerëz.
Edhe
Gjurmëve të “shkrimit” 40 mijë vjet të vjetër
“Kjo lloj mitologjie mund të na çojë më tej dhe të na bëjë të rihetojmë të gjitha 200 mbishkrimet e tjera brakteate që ne njohim ka bërë të ditur Imer.
Përktheu: Blerta Haxhiu
