Një qen që kaloi 10 vjet duke jetuar në varrezat e Sao Paulos, ku ishte varrosur pronari i tij, ka frymëzuar një ligj të ri që lejon varrosjen e kafshëve shtëpiake me familjet e tyre në një shtet të Brazilit.
I ashtuquajtur Bob Coveiro, që do të thotë “varrmihës” në portugalisht, qeni besnik u jepte ngushëllim njerëzve në zi dhe u bë një figurë e përhershme në varreza deri në ngordhjen e tij në vitin 2021, kur u varros pranë kujdestarit të tij.
Ligji, i quajtur sipas qenit, hyri në fuqi të martën dhe njeh “lidhjen emocionale” midis kafshëve shtëpiake dhe familjeve të tyre njerëzore, ka bërë të ditur qeveria e shtetit.
Një nga autorët e ligjit, deputeti Eduardo Nobrega, ka shkruar në rrjetet sociale se “Ajo që filloi si një histori dashurie dhe besnikërie është kthyer në politikë publike”.
Bob mori pjesë në funeralin e pronarit të tij në varrezat e Taboao da Serra dhe më pas refuzoi të largohej, kanë raportuar mediat braziliane, madje ishte kthyer përsëri kur anëtarët e familjes ishin përpjekur ta mbanin në shtëpi.
Atij iu ofrua një shtëpizë e gjelbër për qen për të jetuar atje dhe njihej për faktin se shoqëronte procesionet mortore në varreza, ku përfundimisht u varros pranë pronarit të tij pasi u godit nga një automjet në vitin 2021.
Organizata lokale për mbrojtjen e kafshëve Patre, e cila udhëhoqi një fushatë për mbledhjen e fondeve për një statujë në kujtim të tij, ka thënë se Bob “fitoi zemrat e të gjithëve që e takuan”.
“Njerëzit që ishin të pikëlluar duke varrosur të dashurit e tyre arrinin të buzëqeshnin kur qeni i vogël, i çmendur pas topave, përpiqej të luante”, thuhej në një deklaratë.
Brazili ka popullsinë e tretë më të madhe të kafshëve shtëpiake në botë, me 160 milionë kafshë shoqëruese, sipas të dhënave nga Instituti Pet Brasil.