Kuriozitet

Programi i biçikletave në Australi për nxënësit problematikë

Programi për rregullim të biçikletave për fëmijë dhe adoleshentë në Australi nuk po ndihmon vetëm që biçikletat të largohen nga deponitë e mbeturinave, por po u ndihmon të rinjve që të angazhohen diku.

“The Bike Collective” po u ndihmon nxënësve problematikë që të zhvillojnë shkathtësi sociale dhe të punës.

Biçikletat e prishura po konsiderohen si mjete për t’u ndihmuar ta shpërfaqin potencialin e adoleshentëve.

Koordinatori i programit, Anthony Edler, ka treguar se si po mundohen t’u ndihmojnë fëmijëve problematikë.

“Veçanërisht, fëmijët që kanë vështirësi në shkollë, që mund të kenë probleme në shtëpi, që përballen me pengesa dhe gjëra shtesë, kështu që i marrim afër vetes dhe për këtë po i shfrytëzojmë biçikletat”, ka thënë ai.

Ky program i grumbullimit të biçikletave i mëson të rinjtë që t’i rregullojnë dhe t’i mirëmbajnë biçikletat, të cilat më pas i shesin.

Por, shkathtësitë e tjera - si serioziteti dhe vetëbesimi - fitohen gjatë rrugës.

Nxënësit Mason Burr i ka ndihmuar shumë kjo përvojë.

“Më ka ndihmuar që të merrem shumë më lehtë me probleme, prandaj është një lloj aftësimi”.

Programi ka qenë shumë i suksesshëm në periferi të Hobartit qe shtatë vjet dhe së fundmi është zgjeruar edhe në qytetin Huonville, në jug të Hobartit.

Nxënësit fitojnë para sa herë që marrin pjesë, që mund t’i përdorin më vonë për biçikletë të re apo pjesë të reja.

Nxënësi 12-vjeçar, Nelson Bleathman sapo ka nisur mësimet në Shkollën e Mesme Hounville. Atij i pëlqen ky sistem për të fituar para.

“Në shkollë nuk është se fiton diçka, vetëm ‘të lumtë’, kurse këtu kur punon, është shumë më argëtuese”.

Një polic po ndihmon për t’i monitoruar fëmijët.

“Një nga gjërat që dëgjojmë shumë në Hounville është se fëmijët nuk kanë çfarë të bëjnë dhe se mërziten, kështu që ndoshta për këtë arsye u futen problemeve. Rrjedhimisht, pjesëmarrja në një program si ky, posaçërisht pasi mund të vijnë pas shkollës, do të thotë se tani e kanë një qëllim në jetë dhe kanë çfarë të bëjnë”.

Po shpresohet se programi “Bike Collective” do të zgjerohet më shumë gjatë viteve në vijim.