Auto

Australia del me plan për të nxitur blerjen e veturave elektrike

Australia do të synojë t'i eleminojë emetimet e karbonit nga automjetet për të rritur përdorimin e veturave elektrike, të cilat përbëjnë vetëm 2% të shitjeve të veturave të reja në vend.

Qeveria laburiste e zgjedhur së fundmi nga qendra e majtë, do të publikojë një dokument diskutimi mbi Strategjinë Kombëtare të Automjeteve Elektrike muajin e ardhshëm, tha ministri i Ndryshimeve Klimatike dhe Energjisë Chris Bowen në një fjalim në Canberra të premten.

Bowen tha se marrja e automjeteve me emetim të ulët nga Australia, ishte pesë herë më e ulët se mesatarja globale.

“Ne besojmë se tani është koha për të pasur një diskutim të rregullt dhe të arsyeshëm nëse standardet e efikasitetit të karburantit të automjeteve mund të ndihmojnë në përmirësimin e furnizimit të automjeteve elektrike në tregun australian, për të adresuar ndikimet e kostos së jetesës së makinave joefikase dhe për të reduktuar emetimet nga sektori i transportit”, tha Bowen.

Australia mbetet prapa shumicës së pjesës tjetër të botës kur bëhet fjalë për automjetet elektrike dhe është i vetmi vend i OECD-së, përveç Rusisë që nuk ka ose nuk është në proces të zhvillimit të standardeve të efikasitetit të karburantit, sipas Bowen.