Një kullë e mirëfilltë, e fshehur disa metra nën kaosin metropolitan të Mexico Cityt, një nga qytetet më të populluara në botë. Jo një kullë e rëndomtë, por një nga ato sipërmarrjet që me mendje të çojnë në historitë që kanë bërë të njohur autorin e “Zotit të Unazave”, Tolkien.
Një kullë që shkon në fund të tokës, si hyrja e denjë e ferrit dantesk, e ndërtuar kryesisht nga kafkat e qindra personave, të rritur, gra, por edhe fëmijë.
Zbulimi, i cili u krye fillimisht në 2015, vetëm pak muaj më parë ka gjetur financimet e nevojshme për vazhdimin e gërmimeve dhe studiuesit kanë zbuluar të paktën edhe 119 kafka të tjera.
Sipërmarrja e frikshme po aq sa interesante është vepër e aztekëve, një popull që lulëzoi dhe dominoi zonën qendrore të Meksikës nga shekulli i 14-të deri tek ai i 16-të, kur u mposhtën, skllavëruan dhe pothuajse u zhdukën si pasojë e pushtimit spanjoll të kontinentit.
Prania e shumë kafkave të grave dhe fëmijëve sugjeron që kulla nuk kishte vetëm objektiv të frikësonte armiqtë e shumtë, por shërbente kryesisht si tempull i sakrificave njerëzore që praktikonin aztekët.
{gallery}