Një qytet unik po planifikohet të ndërtohet nga viti 2025 në Afrikë. Do të kushtojë 20 miliardë euro dhe do të ketë vend për 150 mijë banorë. Por njerëzit që do të jetojnë aty do të jenë të privilegjuar, shkruan The Guardian.
Sipas planit, qyteti që do të quhet “The Parks” do të ketë vetë sisteme të prodhimit të energjisë, ujit e të tjera. Njerëzit nuk do të kenë nevojë të paguajnë fatura për këto shërbimet në fillim të muajit.
Investitori URB me bazë në Dubai ka njoftuar se “The Parks” do t'u sigurojë banorëve standardin më të lartë në botë të jetesës në një sipërfaqe prej 17 kilometrash katrorë në rajonin lindor të Afrikës së Jugut.
40 mijë shtëpi në 12 rrethe rezidenciale do të mburren me një kombinim të elementeve rezidenciale, mjekësore, turistike, argëtuese dhe arsimore. Ekonomia e qytetit do të jetë e automatizuar dhe digjitale dhe pritet që shumica e vendeve të punës të lidhen me teknologjinë e gjelbër. Në mënyrë që gjithçka të jetë në nivelin më të lartë, do të hapen 40 mijë vende pune gjatë planifikimit, ndërtimit dhe funksionimit të qytetit.
Me më shumë se 32 kilometra shtigje për vrapim, çiklizëm dhe ngasje, qyteti do të sigurojë formën më të gjelbër dhe më të sigurt të transportit aktiv. I rrethuar nga një rezervat natyror, me një resort ekologjik afër, “The Parks” mund të bëhet një vend tërheqës për turistët.