Një piktor danez është detyruar t’i paguajë një muzeu rreth 67 mijë euro, pasi ai i kishte dorëzuar muzeut dy pëlhura të zbrazëta në vend të pikturave, raporton BBC.
Artisti e kishte quajtur projektin “Merr paratë dhe ik”.
Muzeu Kunsten në Aalborg kishte paguar artistin Jens Haaning në vitin 2021 për dy vepra arti.
Por, ai i dërgoi muzeut dy kanavaca të zbrazëta dhe më pas tha për “Dr.dk”: “Puna është se u kam marrë paratë e tyre”.
Gjykata ka urdhëruar Haaningun që t’i kthejë paratë, por të mbajë disa prej tyre për shpenzimet që pati.
Haaning kishte thënë se me projektin kishte synim për ta ngritur zërin për pagat në Danimarkë dhe Austri.
Muzeu i kërkoi piktorit t’i kthejë të gjitha paratë, 71 mijë e 635 euro, por Haaning refuzoi.
Pas një beteje të gjatë ligjore, Gjykata në Kopenhagë të hënën ka urdhëruar Haaningun (58) që t’ia kthejë muzeut rreth 67 mijë euro.
Shifra, sipas gjykatës, është ekuivalente me atë që muzeu i kishte dhënë artistit, duke ia hequr këtu tarifën e piktorit dhe koston e montimit.
Drejtori i muzeut Lasse Andersson kishte treguar se qeshi me të madhe kur pa së pari dy kanavacat e zbrazëta dhe vendosi prapë t’i shfaqte.
“Unë qesha, pasi ishte vërtetë qesharake”, kishte thënë Andersson në vitin 2021.
Pas gjykimit, Haaning i ka thënë “Dr.dk” se nuk ka planifikim ta dërgojë rastin në instanca tjera.
“Ka qenë mirë për punën time, por po ashtu më vendos në një situatë të pamenaxhueshme ku nuk e di vërtetë se çfarë dua të bëjë”, tha Haaning.
Ai ka thënë se “muzeu ka bërë shumë më tepër para sesa që investoi, falë publicitetit që mori nga rasti”.