Kuriozitet

Një 33-vjeçare bëhet gjyshja më e re në Britani

Një grua 33-vjeçare, nënë e tre fëmijëve është bërë gjyshja më e re në Mbretërinë e Bashkuar, pasi vajza e saj 17-vjeçare lindi javën e kaluar, shkruan Daily Mail.

Gemma Skinner, vajza e së cilës Maizie lindi një vajzë, tha se infermierët në spital mendonin se ajo ishte tezja e foshnjës.

Nëna e tre fëmijëve nga Amershami, tha se fillimisht nuk donte të quhej gjyshe, por tani ka nisur t’i pëlqejë ky status.

Skinner tha se po argëtohet shumë kur po e nxjerr për shëtitje mbesën e saj dhe të gjithë kanë bindjen se ajo është nëna dhe jo gjyshja.

Ajo ka tri vajza dhe më e vogla, Bella, është vetëm katër vjeçe.

"Unë vizitova shkollën me foshnjën këtë javë dhe njerëzit erdhën dhe e pyetën nëse ajo ishte imja. Më duhej t’ua shpjegoja se ajo ishte mbesa ime dhe ata ishin shumë të tronditur", tha ajo.

Skinner lindi vajzën e saj më të madhe Maizie më 2004 kur ajo ishte 16 vjeçe. Ajo ka edhe një vajzë tjetër, Gracie, e cila është dhjetë vjeçe.

Gjyshja më e re në Britani tha se kur zbuloi se Maizie ishte shtatzënë në moshën 17 -vjeçare, fillimisht ishte e shqetësuar, duke kujtuar përvojën e saj si nënë adoleshente.

Tash thotë se nuk do të ndryshonte asgjë dhe se Maizie u bë nënë me lehtësi. Maizie dhe i dashuri i saj 19-vjeçar Jack Weir e pagëzuan fëmijën e tyre, Larosa Mae.