Kuriozitet

Një 16-vjeçar arrestohet për prerjen e pemës 200-vjeçare në Britani

Pema 200-vjeçare pranë “Murit të Hadrianit” të ndërtuar nga romakët në Britani të madhe, është prerë qëllimshëm.

Prerja e saj besohet se ka ndodhur të enjten gjatë natës dhe për këtë është arrestuar një 16-vjeçar, shkruan CNN.

Autoritetet e kanë quajtur këtë akt vandalizmi.

Pema e vendosur në Parkun Kombëtar “Northumberland” në veri të Anglisë, u bë e famshme për miliona njerëz anembanë botës kur në vitin 1991 u shfaq në filmin "Robin Hood: Prince Of Thieves" të Kevin Costner.

Pema e njohur si “Sycamore Gap” ishte vendosur në Murin e Hadrianit, që është i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s dhe është ndërtuar rreth 1900 vjet më parë për të ruajtur kufirin më të largët veriperëndimor të Perandorisë Romake.

Ajo u konsiderua si një nga pemët më të fotografuara në Angli dhe u votua si Pema angleze e vitit në vitin 2016.