Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Në Kroaci, pos picës së shtrenjtë të kosovarit, gjeni edhe picën “më të vogël”

Kroacia është bërë “hit” këto ditë për picat. Teksa një furrë në ishullin Hvar, pronë e një kosovari, po “mallkohet” nga kroatët për çmimin e lartë të picave, që shkojnë deri në 65 euro, në një ishull tjetër të këtij vendi, Braç, po flitet me kuriozitet për madhësinë e produktit.

Së fundi, një person ka publikuar në Reddit një foto, ku shihet një picë e blerë në një restorant në plazhin “Zlatni Rat” dhe ajo është aq e vogël, aq larg “standardeve”, sa që ka nxitur shumë reagime, shkruan klix.ba të martën.

Turisti i ka bërë foto dorës së tij dhe picës për të bërë krahasimin, e që produkti shkon pak mbi 10 cm diametri.

Në komentet poshtë postimit, shumëkush nuk mund ta besonte se kjo në fakt ishte shërbyer në një restorant, ndërsa krijuesi i postimit, zbuloi edhe emrin e restorantit ku e bleu.

“Tani po shkoj në plazh me metër dhe peshore”, tha ai me shaka në koment.