A mund të përfundojë së shpejti në pjata mishi i kultivuar në laborator. Një kompani izraelite shpreson të bëjë bujë në tregun tajlandez me produktin e saj të viçit.
Aroma e mishit të gatuar mbush ajrin dhe skena duket e ngjashme me çdo kuzhinë profesionale.
Por ka një dallim - ky mish është “kultivuar”, një proces kompleks shkencor ku qelizat merren nga kafshët e shëndetshme, ushqehen dhe shumohen për të bërë një produkt specifik dhe të ngrënshëm.
Kompania izraelite bujqësore “Aleph Farms” është ajo që qëndron pas produktit të pazakontë.
Ata po kërkojnë të lënë gjurmë në industrinë ushqimore në Tajlandë dhe të përfitojnë nga statusi i vendit si kryeqytet global i kuzhinës.
Kompania është e specializuar në kultivimin e biftekëve nga qelizat e kafshëve jo të modifikuara gjenetikisht duke përdorur metoda të qëndrueshme dhe që nga viti 2021 ka partneritet me kompanitë ushqimore tajlandeze dhe aktualisht është në bisedime me autoritetet lokale për një rregullim për të sjellë produktin në treg në vendin e Azisë Juglindore.
Për herë të parë kompania po shfaq biftekun e krijuar të quajtur “Aleph Cuts”, në një ngjarje në Bangkok, duke ftuar figurat vendase të industrisë ushqimore të provojnë ushqimin unik.
VIDEO:
“Ne e shohim Tajlandën si një gur themeli të strategjisë sonë aziatike. Tajlanda konsiderohet si kuzhina e botës dhe ka një traditë shumë të kamotshme në prodhimin e ushqimit dhe në zhvillimin e kuzhinës. Skena e kuzhinës në Bangkok është vërtet e pabesueshme”, ka thënë bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i “Aleph Farms”, Didier Toubia.
Kuzhinieri i “Aleph Farms”, Amir Ilan, së pari demonstron një metodë të thjeshtë pjekjeje të mishit për të pranishmit, duke përfshirë drejtoreshën e Kërkimit dhe Zhvillimit në zinxhirin e restoranteve me bazë në Tajlandë, “The Pizza Company”, Lisa Thorsen.
Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi aspektet e sigurisë ushqimore të ushqimit me bazë qelizore vuri në dukje disa çështje të mundshme, të tilla si ndotja mikrobike në pika të ndryshme të procesit, mbetjet biologjike dhe produktet ndaj të cilave disa njerëz mund të jenë alergjikë.