Kuriozitet

Me lule në vend të vijave të bardha synohet respektimi i shenjave të komunikacionit

Duket bafesuese për një qytet të vogël. Edukimi mbi respektimin e sinjalistikës rrugore vjen përmes një ideje shumë të veçantë: Lule mbi vijat e bardha.

Synimi është që kalimtarët, por edhe drejtuesit e mjeteve, t’i respektojnë si masë parandaluese e aksidenteve.

“Ne kemi ndërtuar një sinjalistikë që të jetë edhe më tërheqëse dhe në mënyrë të veçantë në ato vende ku kalojnë fëmijët”, tha kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, raporton “abcnews”.

Fillimisht kjo sinjalistikë po aplikohet pranë rrugëve hyrëse në qytet, pikërisht në rrugën “Republika”, për të vijuar më tej me rrugët pranë institucioneve shkollore.

Ideja për lulet e bardha u diskutua me ekspertë të sigurisë rrugore të cilët sugjerojnë se në këto forma, sinjalistika horizontale është më e këndshme dhe qetësuese për frekuentuesit e rrugës duke bërë që këta të fundit ta respektojnë atë.

“Jo thjesht si dekor, por për t’u thënë qytetarëve që këto sinjalistika nuk janë për t’u shkelur, por janë për t’i zbatuar ato sinjalistika”, tha kryetarja e bashkisë.

Vetëm 3 vitet e fundit në qendrat urbane të vendit, sinjalistika horizontale po bëhet me standarde. Më parë, vijat e bardha fshiheshin nga asfalti disa ditë pas lyerjes për shkak të cilësisë se dobët të bojës duke u “mësuar” kalimtarëve zakonin e keq të kalimit të rrugës vend e pa vend.

Ajo situatë shkaktonte aksidente me pasoja të rënda, veçanërisht për kalimtarët.