Kuriozitet

Koronavirusi ngjalli zanatet e harruara

Shumë njerëz e kanë shfrytëzuar pandeminë për të mësuar diçka të re. Në Shën Petersburg të Rusisë njerëzit mund të ndjekin kurse pa pagesë për zanate të ndryshme.

Kurset kanë filluar prej janarit për zanatet e punimeve me dru, hekur, qeramikë dhe rrobaqepësi.

Punëtoritë janë të ndara në dy pjesë – ajo “e pastër” që u referohet punëve si qepja dhe pjesa “e papastër” që mbulon punët si inxhinieria dhe zdrukthëtaria.

Projekti ka bashkuar njerëz të ndryshëm. Ata që janë në kërkim të zgjidhjes së një pune të caktuar si shkurtimi i perdeve, ata që janë në kërkim të ideve për ta ndryshuar profesionin, po ashtu edhe mjeshtërit profesionistë të cilët nuk kanë para të mjaftueshme për mjetet që u duhen.

Projekti është financuar nga një prej administratave të qarkut të Shën Petersburgut.

Pjesëmarrësit duhet ta bëjnë një projekt me një organizatë bamirëse apo duhet të kontribuojnë diçka për qytetin.

Yulia Popova, një nga kuratoret e punëtorive “të pastra”, e ka shpjeguar qëllimin e krijimit të këtyre punëtorive.

“Kjo hapësirë është e hapur, është publike, është për qytetarët. Është krijuar për t’i popullarizuar punëdoret dhe për t’ua dhënë qytetarëve mundësinë që t’i realizojnë idetë e tyre”, ka thënë Popova.

Anëtarët e parë të grupit janë të ashtuquajturit “banorët” e punëtorive.

Banorët janë mjeshtër që e kanë të zhvilluar plotësisht një zanat, por duan ta shndërrojnë në diçka më të madhe, për shembull duan ta hapin biznesin e tyre. I tillë është çifti Pyotr Chizhov dhe Ksenia Yarysh. Ëndrra e çiftit është që ta krijojë markën e tij.

Sipas tyre, proceset e tilla si lustrimi dhe djegia në shtëpi janë thjesht të pamundura. Nevojitet një furrë e posaçme, e cila kushton dhe teknikisht është e vështirë të vendoset në shtëpi. Por tashmë falë punëtorive, çifti mund t’i jetësojë idetë dhe të japë edhe ide kreative për banorët e tjerë.

“Jeni në mesin e disa njerëzve që sapo kanë filluar dhe është shumë e bukur të shkëmbesh energji dhe përvojë sepse punëtoria “Hangar” është ndërtuar mbi njerëzit që e mësojnë njëri-tjetrin për të bërë çfarëdo që munden. Kjo është njëfarë shkëmbimi shoqëror i aftësive”.

Banorët zgjidhen nëpërmjet një gare dhe mund të punojnë në punëtori për gjashtë muaj.

Gjatë fundjavave punëtoritë shndërrohen në hapësira të përbashkëta pune.

Për dallim prej banorëve, pjesëmarrësit e punës së përbashkët nuk kanë nevojë t’i futen garës për t’u zgjedhur dhe mund të kenë vetëm një detyrë të shkurtër për ta realizuar.